Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Izraeli i shqetësuar me vendimin e Trump për t’i shitur armë Arabisë Saudite

Prizren Post | 14:50 - 21.05.2017

“Kjo është një çështje që duhet të na shqetësojë vërtet,” ka thënë ministri i Energjisë i Izraelit, Yuval Steinitz, gjatë mbledhjes javore të kabinetit izraelit, edhe pse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e përmendi marrëveshjen në fjalimin e tij të zakonshëm publik, transmeton Express.

Presidenti Donald Trump dhe mbreti i Arabisë Saudite nënshkruan të shtunën një marrëveshje të paralajmëruar, në bazë të së cilës Riadi do të blejë armë dhe sisteme mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara për 110 miliardë dollarë.

Netanyahu e ka shprehur dëshirën për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit, si pjesë e një iniciative e cila do t’i bënte palestinezët që të pajtoheshin për një marrëveshje për paqe dhe si pjesë e një fronti më të gjerë kundër ambicieve bërthamore të Iranit.

Izraeli gjithmonë ka qenë e kujdesshme për mbajtjen e epërsisë ushtarake, ndërsa Steinitz ka thënë se shpreson se do të mësojë më shumë detaje rreth marrëveshjes për armë mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Trump do të mbërrijë nesër në Izrael.

“Duhet po ashtu të sigurohemi se ato armë do t’iu shiten Arabisë Saudite për qindra miliarda dollarë nuk do ta shkatërrojnë në asnjë mënyrën epërsinë ushtarake të Izraelit, sepse Arabia Saudite ende është vend armik pa asnjë marrëdhënie diplomatike dhe askush nuk e di se çfarë do të jetë e ardhmja,” ka thënë ai.

Në vitet 1980, Izraeli shprehu shqetësimin ndaj aeroplanëve luftarakë të avancuar të asaj kohe “F-15” që SHBA-ja ia kishte shitur Arabisë Saudite, të cilët ishin vendosur në një fushë ajrore të Detit të Kuq, por të cilët mbretëria e shkretëtirës asnjëherë nuk ka kërcënuar se do t’i përdorte kundër Izraelit.


Arivisti Company