E shtunë, 5 Dhjetor 2015
E shtunë e nxehtë futbollistike, me emrat më të mëdhenj nga Primera Division, Bundesliga dhe Seria a, që zbresin në fushë për të konfirmuar ambiciet sezonale.
Në Spanjë ku vazhdon të përbëjë lajm kryesor gafa e Realit të Madridit me aktivizimin e Cherychev ndaj Cadiz në Kupën e Mbretit, vëmendja kthehet në La Liga, ku Los Blancos synojnë të shkurtojnë diferencën me Barcelonën, që luan në transfertë me Valencian.
Formacioni i Rafa Benitez do të presë në orën 16:00 në “Santiago Bernabeu” Getafen në një derbi madrilen me diferenca të ndjeshme në cilësi, ku një hap tjetër i gabuar mund të kushtojë shtrenjtë për objektivat sezonalë. Statistikat sidomos në sezonet e fundit, tregojnë qartë supermacinë e Realit, ndërsa fitorja e fundit e Getafes në “Santiago Bernabeu” daton në shkurt të 2008-ës.
Nga ana tjetër në orën 20:30 Barcelona do të zbresë në fushë e Mestallës pasi të jetë njohur me rezultatin e Realit, por në të vërtetë nuk është se katalanët presin ndonjë surprizë nga Getafe. Kampionët e Spanjës janë shfaqur të frikshëm në javët e fundit në të gjitha kompeticionet ndaj edhe ndaj Valencias do të futen në fushë me petkun e favoritëve. Në dy takimet e fundit në këtë stadium Barcelona ka arritur të marrë pikë të plotë, një tendencë që të besuarit e Enriques shpresojnë ta ruajnë edhe në këtë javë të 14 të La Ligas.
Në orën 18:00, Supersport propozon një tjetër sfidë nga Primera Division, pikërisht Granda – Atletico Madrid, me skuadrën e Diego Simeones që nuk dëshiron t’i hapë rrugë Realit për vendin e dytë. Ndërsa në orën 22:00 kuadri i ndeshjeve nga kampionati spanjoll kompletohet me përballjen Deportivo la Coruna – Sevilla./telegrafi/