Jahjagës iu dorëzua drafti i Strategjisë Kombëtare për Integrim


E shtunë, 22 Qershor 2013

Presidentja Atifete Jahjaga priti të shtunën ministren për Integrim Evropian, Vlora Çitaku, dhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, Lutfi Haziri, të cilët si bashkëkryesues të Task Forcës për Integrim Evropian zyrtarisht i dorëzuan presidentes draftin e Strategjisë së parë Kombëtare për Integrim Evropian “Kosova 2020: Një qasje gjithëpërfshirëse”.

Si thuhet në njoftimin nga Presidenca, hartimi i kësaj strategjie u inicua në mars të vitit 2012, kur ishte rekomanduar themelimi i Task Forcës për Integrim, me qëllim hartimin e Strategjisë Kombëtare, duke siguruar konsensus të plotë me të gjithë aktorët e shoqërisë të përfshirë në këtë proces, dhe që do të reflektonte vizionin e përbashkët dhe qëllimin e vendit tonë për anëtarësim në BE.

Jahjaga përgëzoi bashkëkryesuesit e Task Forcës për përfundimin e suksesshëm të procesit që është mbështetur nga të gjitha institucionet, partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe i biznesit, si dhe akterët tjerë relevantë të shoqërisë.

Presidentja tha se dokumenti do të diskutohet dhe miratohet në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Çitaku dhe Haziri prezantuan dokumentin në fjalë dhe theksuan se ai përmbledh punën dhe konsultimin njëvjeçar të më se 1 000 pjesëmarrësve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët kontribuuan në analizimin e gjendjes së tanishme, sfidave dhe identifikimin e qëllimeve që vendi ynë duhet t’i përmbushë deri në vitin 2020, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Kosovës.