“Jemi të vetëm në luftën kundër krizës humanitare”


E enjte, 19 Nëntor 2015

Stamboll – Erdoğan foli në ceremoninë e hapjes së Samitit të Këshillit Atlantik për Ekonominë dhe Energjinë në Stamboll, dhe me këtë rast ai foli për krizën e refugjatëve, ngjarjet e fundit në Paris, si dhe luftën kundër terrorizmit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se Turqia në luftën e saj të ndershme me krizën humanitare, për fat të keq, është lënë e vetme, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan foli në ceremoninë e hapjes së Samitit të Këshillit Atlantik për Ekonominë dhe Energjinë në Stamboll, dhe me këtë rast ai foli për krizën e refugjatëve, ngjarjet e fundit në Paris, si dhe luftën kundër terrorizmit.

Ai rikujtoi se Turqia në pesë vitet e fundit ka marrë rreth 2.5 milionë refugjatë nga Siria dhe Iraku dhe se të gjithë barrën ekonomike dhe sociale e ka përballuar vetë.

“Për fat të keq, në luftën tonë të ndershme kundër krizës humanitare jemi lënë të vetëm. Shpenzimet tona për refugjatët nga Siria, që jetojnë në kampet tona, janë 8.5 miliardë dollarë. Ndërsa sa njerëz jetojnë në kampe, 280,000. Përveç kësaj, një numër i madh i refugjatëve jetojnë nëpër qytetet tona tjera. A e dini se vetëm në Stamboll, ka rreth 500.000 refugjatë”, tha Presideti i Turqisë.

Ai ka thënë se për 35 vjet po udhëhiqet një luftë kundër terrorizmit, dhe se vendi i tij i ka hapur dyert për refugjatët, sepse, siç tha, nuk mund të mbyllim dyert për njerëzit që janë të ekspozuar prej bombardimeve me bomba fuçi.

“Organizatat tona jo-qeveritare dhe njerëzit e vullnetit të mirë, refugjatëve në Stamboll, por dhe në qytetet tjera të vendit tonë, u ofrojnë ndihmë që nuk matet me para. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar, sidomos vendet evropiane, nuk janë ndalur vetëm që ta injorojë këtë problem, por kanë marrë një qëndrim që mund të çojë në thellimin e krizës”, tha Erdoğan.

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, Erdoğan rikujtoi se kjo temë është diskutuar në samitin e fundit të G20, që u mbajt në Antalia, ku pati mundësinë që personalisht dhe në nivel të delegacioneve të flasë për këtë problem. Mesazhi i përbashkët në fund ishte që të dënojmë sulmet terroriste në Paris, Ankara, Gaziantep, Bejrut, dhe se të gjitha vendet janë të bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Kur është fjala për tragjedi humanitare dhe sulme terroriste në rajon, Erdoğan beson se prioritare është të mësojnë qartë shkaqet e tyre. “Shkaku kryesor i tragjedisë humanitare dhe sulmeve terroriste me të cilat sot përballemi është regjimi i Assadit, i cili ka vrarë 380.000 bashkatdhetarë të tij. Assadi po përhap terror shtetëror. Hapur dhe konkretisht po e them se ai që qëndron prapa personit që përhap terror shtetëror, së paku është po aq fajtor sa vetë ai. 380 mijë sirianë nuk janë të dhëna statistikore, çdo njëri prej tyre është një shpirt, një njeri. Diskutimet rreth asaj nëse duhet të largohet apo të mbesë, duhet vlerësuar se çfarë lloj mesazhi është ky jo vetëm për popullin e Sirisë, por edhe për të gjithë njerëzimin”, tha presidenti turk.

Erdoğan tha se të gjitha organizatat terroriste në rajon, drejtpërdrejt ose tërthorazi i shërbejnë regjimit të Assadit, dhe se Assadi siguron mbështetje për organizatën terroriste DAESH.

“Assadi aktualisht është duke marrë naftën e DAESH-it dhe e kthen në para. Duhet të jemi të verbër që të mos e vërejmë këtë. Të gjitha janë shumë të qarta”, tha Erdoğan.

Duke komentuar mbi sulmet e fundit terroriste në Paris, Presidenti i Turqisë tha se është e qartë se sot në Europë, veçanërisht në vendet ku muslimanët janë një popullsi pakice, po përhapet një atmosferë negative ndaj tyre.

“Ndërsa me sinqeritetin më të madh kemi dënuar sulmet terroriste në Paris dhe kemi ndarë dhimbjen me popullin francez, nga vende të ndryshme, kemi marrë lajme për sulme ndaj muslimanëve. Ajo që dua veçanërisht të theksoj është se qëndrimi i fortë ndaj refugjatëve, nuk do të çojë askund tjetër, përpos në thellimin e krizës. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve botëror, që të iu bëjnë thirrje qytetarëve të tyre për gjakftohtësi”, tha Erdoğan.

Etiketa: ,