Kafeja, eliksiri i jetëgjatësisë


E shtunë, 12 Dhjetor 2015

kafe-620x348

Kafeja hyn në listën e pijeve që ndikon pozitivisht në jetëgjatësi. Konsumimi i jo më shumë se 5 filxhanëve në ditë e redukton dukshëm rrezikun e vdekjes nga sëmundje të ndryshme.


Në mënyrë të veçantë, kafeja ndikon te diabeti, Parkinsoni, sëmundjet kardiovaskulare, neurologjike, madje edhe te vetëvrasjet. Ky është rezultati i studimit më të madh që është bërë ndonjëherë në këtë fushë, i kryer nga Universiteti i Harvardit.

Të dhënat vijnë nga analizat shëndetësore të 160 mijë grave dhe 40 mijë burrave për një periudhë kohore 30-vjeçare.

Nga studimi ka dalë se konsumatorët e zakonshëm, që pinin 3-5 kafe në ditë, ishin më pak të rrezikuar nga vdekja e parakohshme. Efektet më pozitive janë hasur te ata që konsumonin kafenë dhe nuk pinin cigare.

Raporti i publikuar në “Circulation” ka vënë në pah edhe faktin se kafeina luan një rol antidepresiv dhe kjo mund të shpjegojë efektin pozitiv në parandalimin e vetëvrasjeve.