Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Katastrofa e radhës, edhe 5 vite pa ushtri

Prizren Post | 19:07 - 05.02.2014

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Agim Çeku, është optimist se shumë shpejt do të ndryshohet struktura funksionale dhe emri i FSK-së, duke shpresuar se Kosova do të bëhet me ushtri. Mirëpo kështu nuk mendojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe oficerët e karrierës.

Këta të fundit shfaqin dyshime se Kosova edhe për 4-5 vjet minimum, nuk do ta ketë ushtrinë e saj edhe pse është vlerësuar se FSK ka përmbushur kapacitetet operacionale për situata emergjente. Institucionet e vendit tashmë kanë krijuar një grup punues për rishikimin e strategjisë së sektorit së sigurisë së Kosovës, i cili do të përfshijë edhe misionin e ardhshëm edhe të FSK-së.

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku, nuk parapëlqen të flasë me afate kohore se kur Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i marrë kapacitetet shtesë dhe për emërtimin e ri të kësaj force, për çka kishte paralajmëruar se diçka e tillë do të ndodhë brenda muajit shkurt.

“Krejt çka mundem me thënë është se shumë shpejt do të ndodhë kjo. Procesi i rishikimit ka përfunduar dhe ne si Ministri rekomandimet i kemi riformuluar, por tash mbetet që të harmonizohen edhe me kryeministrin dhe partnerët ndërkombëtarë dhe atëherë do të dalim publikisht dhe fillon jetësimi i tyre”, ka thënë Çeku.

Maloku edhe 10 vjet s’do ta kemi ushtrinë

Por, një mendim më ndryshe ka shfaqur eksperti ushtarak Naim Maloku, i cili shfaq drojën e tij se Kosova nuk do ta ketë ushtrinë e vet edhe një kohë bukur të gjatë për së paku 10 vitet e ardhshme.

“Nuk është ashtu siç thonë disa nga skena politike se shumë shpejt do ta kemi ushtrinë e Kosovës. Konsideroj se Kosova brenda 10 viteve të ardhshme nuk duhet me pritë që ka me pas ushtrinë e saj dhe që ka me arritë me siguri aspektin e sigurisë së kufirit të jashtëm”, deklaroi Makolu.

Tash FSK, sipas tij, ka kapacitete për raste emergjente që të ndërhyjë në fatkeqësi natyrore, por kjo forcë është larg kapaciteteve për t’i siguruar kufijtë e Kosovës, gjegjësisht të sigurojë shtetin nga rreziku i evazionit nga jashtë, respektivisht nga cenimi i rrezikut të integritetit territorial. “FSK është larg këtyre standardeve e kapaciteteve”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, dinamika e zhvillimit të FSK-së do të varet shumë nga zhvillimet e proceseve në rajon, përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi…etj.

“Pra, me strategjinë afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të NATO-s do të zhvillohet edhe FSK-ja, ose ushtria e Kosovës. Në momentin që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, atëherë nuk do të ketë nevojë që t’i ketë forcat e KFOR-it në Kosovë”, ka thënë ai.

Oficeri i karrierës Maloku, gjithashtu ka shfaqur mendimin se Kosova mund ta ketë ushtrinë e saj vetëm atëherë kur lejon edhe NATO-ja.

Megjithatë, deklaron se institucionet shtetërore duhet të këmbëngulin dhe insistojnë që Kosova sa më shpejt ta ketë ushtrinë dhe për këtë duhet ta ketë një vizion të qartë.

“Askush nuk vjen nga NATO-ja me na thënë se duheni me bërë kështu apo ashtu, por të insistojmë dhe marrim dritën e gjelbër”, ka thënë Maloku, i cili ka rikujtuar se qysh para gjashtë vitesh kur është shpallur pavarësia e Kosovës është miratuar Ligji për FSK, i cili ka përcaktuar objektivat që duhet t’i realizojë FSK brenda 5 vitesh.

“FSK i ka arritur ato kapacitete si për nga numri, ashtu edhe nga pajisjet, përgatitja profesionale, plotësimin me kuadro, pra të gjitha ato që kanë qenë të përkufizuara FSK i ka arritur. Por, ky Kuvend është dashtë të sjellë një ligj të ri, apo të ndryshojë atë ligjin e para 6 viteve, në të cilin do të përcaktoheshin objektivat që duhet t’i marrë FSK dhe afatet kohore, të cilën gjë nuk e ka bërë dhe në këtë drejtim është treguar i paaftë”, ka thënë Maloku.

Xhelili, Kosova me ushtri pas 4-5 vjetësh

Ndërkaq, anëtari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të FSK-së, Fatmir Xhelili, sqaron se me rishikimin e strategjisë së sektorit të sigurisë do t’i jepet orientimi FSK –së që për objektiv ta ketë zhvillimin e kapaciteteve në drejtim të ushtrisë së Kosovës.

“Nuk mendoj se me rishikimin e strategjisë fillimisht do të jepet emri, por do të përcaktohet misioni i ri për t’i arritur objektivat e ushtrisë së Kosovës. Në momentin që përcaktohet se objektivat do të arrihen për 3, 4 apo 5 vjet, atëherë do të punohet në drejtim të përgatitjes së resurseve njerëzore dhe pajisjeve me teknikë, teknologjisë dhe pse jo edhe me armatim në drejtim të përmbushjes së objektivave që FSK me qenë ushtri e ardhshme e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas deputetit Xhelili, arritja e këtyre kapaciteteve mund të realizohet brenda 4-5 vitesh, çka do të thotë se Kosova mund ta ketë ushtrinë e mirëfilltë vetëm pas 4-5 vitesh.

“Pra, besoj se FSK do t’i ndryshojë veprimet në drejtim të krijimit të kuadrove dhe resurseve njerëzore që në të ardhmen të jenë në gjendje të menaxhojnë edhe situatat që u takojnë ushtrive. Gradualisht do të fillohet me u pajisë me teknikë, teknologji që ka me pas ushtria dhe kur të arrihen këto objektiva pas 4-5 vitesh atëherë ndryshohet sigurisht emri, por edhe mund të mos ndërrohet , mundemi me thanë që pas 4-5 vitesh do ta kemi ushtrinë e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo veprim tash e tutje do të shkojë në drejtim të përgatitjes së resurseve njerëzore dhe me pajisje.

Ish- zëvendësministri i Brendshëm Xhelili ka vënë në dukje se FSK aktualisht ka plotësuar kapacitetet operacionale për t’i menaxhuar situatat emergjente, si fatkeqësitë natyrore, zjarret, fatkeqësitë në komunikacion, çminimin ..etj , por siç tha ai, nuk i ka arritur kapacitetet për të qenë ushtri e Kosovës. “FSK duhet t’i përmbushë kapacitetet operacionale për të qenë ushtri”, ka deklaruar Xhelili.

Çeku mos të merret me ndryshime kozmetike

I ashpër në deklarimin e ministrit Agim Çeku ka qenë edhe anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar, deputeti Rexhep Selimi.

Ai ka thënë troç se kjo qeveri nuk e njeh FSK-në si institucion të autorizuar për sigurinë në Kosovë.

“Çfarëdo ndryshimi i emrit do të jetë vetëm kozmetikë, e ne nuk kemi nevojë për kozmetikë, kemi nevojë që FSK-ja të bëhet ushtri. Pra, nuk pres që me këtë qeverisje FSK-ja do të bëhet ushtri, për shkak se kjo qeveri edhe Kosovën nuk e bëri shtet, edhe FSK-në nuk e bën ushtri”, ka thënë Selimi. Ky i fundit i ka quajtur gënjeshtra deklarimet e zyrtarëve qeveritarë se faktori ndërkombëtar është pengesa kryesore pse nuk lejon bërjen e FSK-së ushtri.

“Nëse këta vazhdojnë të thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk po na lejon të bëjmë ushtri, kjo është rrenë, sepse cilido shtet që e ka njohur Kosovën nuk mund të dalë kundër kësaj , sepse secili shtet e ka të drejtën për ta pasur ushtrinë e vet”, tha ai.

Deputeti Selimi ka ironizuar me paralajmërimet e ministrit Çeku se do të ndryshohet emri i FSK dhe struktura, që sipas tij, nuk ka nevojë herë të bëhen ndryshime nga TMK-ja në FSK e herë nga FSK në ndonjë gjë tjetër, porse qytetarët e Kosovës kanë nevojë që ta kenë ushtrinë e tyre.

”Ministri Çeku dhe kryeministri Thaçi do të duhej që sa më parë të japin lajmin se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet”, ka thënë ai./zeri/


Arivisti Company