KB Bashkimi publikon keqpërdorimet dhe borxhet e klubit nën menaxhmentin e Shaqir Totaj


E enjte, 13 Qershor 2019

Deklaratë për media

Prizren, 13/06/2019

Me rastin e përfundimit të stinorit basketbollistik, KB Bashkimi i drejtohet opinionit publik për të qartësuar situatën nëpër të cilën kaloi gjatë sezonit 2018/19.

Kjo deklaratë del jo rastësisht në këtë kohë – pas përfundimit të stinorit, pasi që një deklaratë e tillë gjatë stinorit do ta vështirësonte edhe më tepër gjendjen në klub.
Fillimisht, me datën 20 korrik 2018 kuvendi i klubit ka mbajtur mbledhjen e tij për zgjedhjen e kryesisë së re, ku me vota unanime zgjedhet kryetari i ri z. Fadil Sahiti (i dorëhequr më pas), për ta zëvendësuar z. Shaqir Totaj, i cili kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit javë më parë.

Në këtë mbledhje nga z. Totaj u kërkua që të deklarohej për situatën e lënë në klub, ndërsa pergjigja e tij ishte që klubin po e linte me borxhin në vlerë prej afërsisht 40,000 euro. U tha gjithashtu që dokumentacionin, kontratat, asetet dhe gjithcka tjetër që posedonte klubi do t’i dorëzoheshin kryesisë së re nga menaxheri në largim, z. Arlind Kacaniku, por një gjë e tillë nuk u bë asnjëherë. Pas insistimit të vazhdueshëm nga ana e kryesisë së re, z. Kacaniku dorëzoi vetëm një listë ku ishin borxhet e klubit ndaj bizneseve private (80,670 euro), borxhet ndaj një trajneri dhe katër lojtarëve të huaj, kryesisht për pagesat dy mujore të rrugove (18,400 euro), si dhe borxhi për pagesë në BAT (organi i FIBA-së për cështje ligjore) të lojtarit Eric Palm (13,591 euro).

Pra, shuma e paraqitur nga ish menaxheri edhe pse ishte gati sa trefishi i deklaratës së ish kryetarit Totaj në Kuvend, në të vërtetë kjo nuk ishte e tëra.
Pagesa e lojtarit Palm ka qenë obligim i detyrueshëm që duhet të kryhej para stinorit, në mënyrë që klubi të ketë të drejtë të garojë në garat vendore dhe evropiane, dhe ky rast ishte mbyllur me pagesën e realizuar nga klubi dhe kështu Bashkimi e mori të drejtën e pjesëmarrjes në këto gara.

Një tjetër problem për klubin gjatë formimit të ekipit në fillim të stinorit ishte edhe angazhimi i lojtarëve dhe trajnerit, pasi që klubi kishte krijuar imazh të keq për mospagesa dhe nuk kishte asnjë kontratë valide me lojtarë, si dhe zero të hyra për stinorin e ri nga marrëveshjet me sponzorët paraprakë. Megjithatë, pas shumë vështirësive dhe përkundër imazhit të keq, klubi arriti të formojë ekipin me lojtarë vendorë e të huaj për të garuar në Superligë dhe Ligën Ballkanike.

Në ndërkohë, nga lojtarët e angazhuar në stinorin paraprak, edhe Lubo Samadan dhe Aleksander Gruev, kanë ngritur padi ndaj klubit në BAT, dhe në muajin nëntor të vitit 2018 të njëjtit e kishin fituar rastin, duke e detyruar klubin të paguaj 57,637.00 euro. Këtu vlen të përmendet se në vazhdimësi klubi kontaktohej nga agjentët, trajnerët dhe lojtarët, të cilat ishin angazhuar për Bashkimin gjatë kohës së kryesisë së kaluar, për shkak të mosrespektimit të kontratave.
Problemet e Bashkimit në aspektin financiar nuk përfunduan me kaq dhe goditja e radhës erdhi nga obligimet e papaguara në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Klubi në gjashtë vitet e fundit nuk kishte deklaruar asnjë tatim në pagë dhe pensione të lojtarëve e shtabit teknik në ATK, edhe pse kryetari i atëhershëm i klubit, z. Totaj, gjatë asaj periudhe ishte menaxher në ATK.

Në fund të vitit 2018 me urdhër të drejtorisë së ATK, inspektorët kishin filluar aktivitetin për kontrollim në KB Bashkimi dhe si rezultat në muajin shkurt të vitit 2019 del që klubi kishte obligime gjithsej 55,543.00 euro ndaj ATK’s dhe si rrjedhojë e kësaj klubit në muajin maj të vitit 2019 i bllokohet llogaria bankare.

Të gjitha këto probleme, e rënduan tej mase rrjedhën e kampionatit dhe e devijuan fokusin e kryesisë në objektivat që ishin paraqitur fillimisht, pa ditur gjendjen reale dhe duke u bazuar në deklaratat e ish kryetarit që kishte dhënë në kuvendin e mbajtur më 20 korrik 2018.
Në total, kryesisë aktuale të KB Bashkimit i janë trashëguar gjithsej 221,041 euro borxhe (më shumë se 5 fishi i deklaruar në mbledhjen e Kuvendit nga ish kryetari Totaj), duke i kategorizuar këto në tri kategori:

1. Borxhi ndaj bizneseve private = 80,670 euro
2. Borxhi ndaj lojtarëve (përfshirë dënimet e BAT) = 84,828 euro
3. Borxhi ndaj ATK-së = 55,543 euro

Nga i gjithë ky borxh, gjatë këtij stinori klubi ka shlyer 20,411 euro, që është rreth 50%-shi i shumës së deklaruar nga z.Totaj.

Gjithashtu, kryesia e KB Bashkimit është angazhuar maksimalisht që kjo krizë financiare të mos përsëritet edhe në të ardhmen, dhe i ka përfundur të gjitha obligimet financiare gjatë stinorit 2018/19 që i ka pasur ndaj lojtarëve dhe shtabit teknik, përfshirë këtu edhe kontributet e tyre.
Tani, duke marrë parasysh që e fillojmë stinorin e ri me shumën e borxhit që dihet saktësisht, KB Bashkimi do të veprojë me hapa të sigurta, duke u fokusuar në krijimin e stabilitetit në klub në aspektin financiar dhe sportive për vitet e ardhshme.

Rrjedhimisht, klubi do të angazhohet maksimalisht në mënyrë që
– të fuqizojë shkollën e basketbollit dhe punën me gjeneratat e reja,
– të rregullojë legjislacionin e klubit, i cili nuk do të lejojë keqpërdorime nga interesat josportive,
– të krijojë ekipin dhe strukturat e veteranëve
– të dokumentojë një bazë të të dhënave qe tregon dhe ruan historinë e klubit.
– të fut nën ombrellën e klubit ekipin e basketbollit për persona me aftësi të kufizuara,
– të përmirësojë reputacionin e klubit që është shkatëruar ndër vite dhe krejt në fund
– të krijojë një ekip të parë solid me një numër minimal të lojtarëve të huaj dhe duke i dhënë barën kryesore lojtarëve vendorë, të cilët do ta ndihmojnë klubin në këtë fazë tranzitore.

KB Bashkimi është klub me traditë dhe pa marrë parasysh pengesat, ai do të vazhdojë përpara!

Etiketa: , , ,