“Kërcënimet në rajon në rritje, Kosova ka nevojë për ushtri”


E enjte, 4 Shkurt 2016

Prishtinë – Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka kërkuar që sivjet t’i kushtohet rëndësi transformimit të FSK-së në ushtri.


Këtë kërkesë Quni e arsyetoi me faktin se janë duke u shtuar kërcënimet në rajon, ndërsa brenda vendit shpesh po ndodhin protesta të dhunshme.

“Pasi që zhvillimet në rajon dhe kërcënimet janë në rritje të natyrës së tillë që nuk mund të parandalohen vetëm me kapacitetet e policisë, por janë përgjegjësi ushtarake, atëherë edhe çështja e shërbimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, formacionit ushtarak, duhet të trajtohet me prioritet të lartë nga gjithë aktorët që janë të përfshirë dhe përgjegjës për këtë temë,” tha Quni në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme.

Deputeti i Listës Serbe, Bojan Mitiq, tha se do të bisedojë me kolegët e tij të këtij subjekti në lidhje me qëndrimin ndaj transformimit të FSK-së.

“Gjatë këtij viti do të kemi shumë detyra dhe unë do të jap kontributin tim në zgjedhjen e çështjeve ligjore si forcat e armatosura. Sa i përket kësaj çështjeje do të bisedoj me kolegët e mi që e paraqesin Listën Serbe dhe do të dalim me qëndrim të qartë se çka mendojmë dhe çka planifikojmë lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Fjalët e Mitiqit i përshëndetën deputetët Anton Quni, Fadil Demaku e Nuredin Ibishi.

Për kthimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të ndodhin ndryshime kushtetuese të cilat kalojnë në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë.

Komisioni, përveç fjalëve për FSK-në, shqyrtoi edhe Planin e Punës së Komisionit për Vitin 2016, plan i cili u përkrah nga të gjithë anëtarët që ishin të pranishëm. /kallxo.com/

Etiketa: , ,