E premte, 21 Gusht 2015
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot në një seancë të paraditës raportin mbi zhvillimet tremujore në Kosovë të Sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon.
Ban Ki-moon, pasi shpreh shqetësimin për vonesën e krijimit të Gjykatës Speciale, thotë se kjo ‘minon imazhin e Kosovës për të vendosur një shembull drejtësie dhe llogaridhënie’.
Është ky raporti i tretë me radhë gjatë këtij viti dhe i 65 me radhë që nga miratimi i Rezolutës 1244 në qershor 1999, e cila e obligon Sekretarin e Përgjithshëm t’i raportojë Këshillit të Sigurimit çdo tre muaj mbi zhvillimet në Kosovë. Në disa seanca në dy vjetët e fundit, Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera perëndimore janë angazhuar për rrallime të raportimeve, të shumtën dy herë në vit, me arsyetimin se normaliteti i zhvillimeve në Kosovë nuk kërkonte raportime dhe takime më të shpeshta.
Megjithatë paralajmërimi i bllokimit nga ana e Rusisë i rrallimit të raportimeve, duke e konsideruar si një skenar të zbehjes së rolit të OKB dhe Rezolutës 1244 e bën këtë pothuajse të pamundur.
Seancat për Kosovën janë shndërruar në një mbledhje ku i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm lexon një raport ‘përmbajtësor’ për të arsyetuar qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë; Serbia në anën tjetër ‘hedhë gurë e dru’ duke e trajtuar edhe incidentin më banal me prapavijë politike dhe etnike; ndërsa Kosova flet për sukseset e shtetit të ri, afirmimin ndërkombëtar dhe nevojën e pushimit të Misionit së Kombeve të Bashkuara që do të pasohej logjikisht me pranimin e Kosovës në organizatën botërore.
Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në diskutimet e tyre ato që e kanë njohur rreshtohen hapur në mbështetje të shtetit të Kosovës, ndërsa të tjerat thirren në Rezolutën 1244 dhe nevojën e gjetjes së një zgjidhje kompromisi.
Edhe ky raport i fundit i Sekretarit Ban është i vonuar dhe i tejkaluar (qoftë edhe si lajm), meqë çështje bosht të tij ka ‘shqetësimin për vonesën e kriji mit të Gjykatës Speciale.’ Raporti përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 prilli deri më 15 korrik dhe u ishte dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, para se të votohej miratimi i amendamentit për Gjykatën nga Kuvendi i Kosovës.
Sot Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel të ministrave të Jashtëm, ndërsa seancën dhe Këshillin për këtë muaj sipas radhës së alfabetit e kryeson anëtari afrikan me mandat rotativ, Nigeria.
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka udhëtuar për në New York do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mbledhja e fundit e KS-së për Kosovën ka qenë më 26 maj, kur Thaçi ka folur për konfliktin në Kumanovë, për themelimin e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte, për migrimin e kosovarëve dhe çështje të tjera.