KFOR-i shpjegon ardhjen e forcave amerikane në Kosovë


E martë, 16 Maj 2017

Prishtine – Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka reaguar ndaj shkrimeve të dy ditëve të fundit lidhur me planifikimin e arritjes së trupave shtesë ushtarake amerikane në Kosovë.

Në sqarimin e KFOR-it, thuhet se “Më 15 dhe 16 maj 2017, ka pasur raportime në mediat serbe dhe atyre shqiptare në Kosovë se SHBA planifikon të dërgojë 130 ushtarë shtesë në kuadër në të KFOR-it në mbështetje të përpjekjeve të NATO-s për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.

“Dislokimi i ardhshëm i trupave amerikane është një procedurë rutinore e dorëzim-pranimit ndërmjet dy kontingjenteve të rotacionit së SHBA-ve dhe jo kontribut shtesë i SHBA-ve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, transmeton Telegrafi.

“KFOR-i vazhdon aktivitetet për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit te Sigurimit të OKB-së”.

“Çdo vendim për qëndrimin dhe strukturën e forcave të KFOR-it merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, bazuar në kushtet e sigurisë në terren”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Etiketa: , ,