Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kinezët ndërtojnë dy autostradat në Maqedoni

Prizren Post | 09:59 - 13.11.2013

Shkup, 13 nëntor – Qeveria e Maqedonisë ka nënshkruar me kompaninë kineze “Sinohydro Corporation Limited” marrëveshjet për ndërtimin e akseve të autostradave nga Milladinovci deri në Shtip dhe nga Kërçova deri në Ohër. Vlera e përgjithshme e investimit është 580 milionë euro me mundësi prej maksimum 10 për qind për punë plotësuese. Pjesa më e madhe e mjeteve, përkatësisht 90 për qind janë siguruar përmes kredisë nga EKSIM banka kineze, ndërsa 10 për qind nga buxheti i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore.Në pajtim me marrëveshjen, realizuesi është i obliguar të angazhojë prodhues nga Maqedonia për së paku 49 për qind të punëve të parapara, e gjithashtu edhe të furnizojë së paku 49 për qind të materialeve ndërtimore nga Maqedonia. Po ashtu realizuesi dhe prodhuesi gjatë ndërtimit janë të obliguar të angazhojnë për punë minimum 51 për qind shtetas të Maqedonisë. Aktivitetet ndërtimore pritet të fillojnë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu duhet të sigurojë edhe trajnime adekuate për punëtorët e Maqedonisë të cilët do të angazhohen. Autostrada Milladinovc – Shtip do të jetë me gjatësi prej 53 kilometrave dhe gjerësi prej 29 metrave, me nga dy korsi në të dy drejtimet dhe një korsi plotësuese për ndalim.

Autostrada nga Kërçova deri në Ohër është në gjatësi prej 56,7 kilometrave me gjerësi prej 25,5 metrave, me dy korsi, një korsi plotësuese për ndalim dhe brez të gjelbër. Me ndërtimin e të dy autostradave pritet intensifikimi i zhvillimit ekonomik në të gjitha rajonet e shtetit, zhvillim i turizmit dhe pakësim i kohës për udhëtim dhe rritje e sigurisë në komunikacion.


Arivisti Company