Komisioni Evropian publikon raportin e progresit për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën


E mërkurë, 9 Nëntor 2016

Shqipëria ka marrë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, ndërsa Maqedonia rekomandim të kushtëzuar

thumbs_b_c_233c0ff6020caa972920d6fe42d550e1

TIRANË/SHKUP/PRISHTINË – Komisioni Evropian në Bruksel sot publikoi raportin mbi progresin për vitin 2016 për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

KE rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka bërë sot publik në Bruksel progres-raportin për Shqipërinë, ku Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Hapja e negociatave kushtëzohet nga zbatimi i reformës në drejtësi. Ndërkohë në raport vlerësohet se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në pesë prioritetet e vendosura nga BE. Gjithashtu njihet lufta kundër korrupsionit, por kërkohen më shumë përpjekje në këtë drejtim.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin i dorëzoi sot progres raportin kryeministrit Edi Rama. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Vlahutin duke e quajtur hap të madh rekomandimin për hapjen e negociatave u ndal tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Rekomandimi i sotëm është një hap tepër i madh përpara. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë të gjithë reformat që do të ndërmerren”, është shprehur Vlahutin.
Ndërsa kryeministri Rama këtë rekomandim e ka konsideruar si një ndër premtimet më ambicioze që qeveri që ai drejton mbajti.

Komisioni Evropin me rekomandim të kushtëzuar për Maqedoninë

Duke prezantuar raportin në pjesën për Maqedoninë, Hahn tha se vendi ka marrë edhe një rekomandim të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për të theksuar se njëjtë sikur vitin e kaluar, edhe raporti i sivjetmë është i kushtëzuar, tani me zbatimin e plotë të marrëveshjes politike të Përzhinës si dhe nga zbatimi i zgjedhjeve të besueshme parlamentare më 11 dhjetor.

“Vendi akoma nuk ka dalë nga kriza politike përkundër hapave të mira që u ndërmorën kohë më parë. Tani është rasti që liderët e vendit të tejkalojnë krizën dhe të marrin përsipër mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme parlamentare. Njëjtë sikur Serbia, vendi luan rol aktiv në krizën me emigrantët duke bashkëpunuar mirë me vendet fqinje dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në Raportin e lexuar nga Hahn.

Komesioneri i BE-së theksoi se “Komisioni Evropian vazhdon të japë rekomandim për çelje të negociatave, por me kusht që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës dhe përmbushjen e prioriteteve urgjente reformuese”.

Hahn lavdëroi vendet e Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për mbylljen efektive të rrugës së emigrantëve duke theksuar se ka ulje të madhe të fluksit të emigrantëve dhe se këtë verë vetëm 18 mijë refugjatë kanë kaluar në këtë rrugë.

Apostolova dorëzon raportin e progresit për Kosovën për vitin 2016

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova në takime të ndara sot ia dorëzoi raportin e progresit të Kosovës për vitin 2016 kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli si dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në një njoftim nga Kuvendi bëhet e ditur se kryeparlamenari Veseli ka vlerësuar se progresi të cilin e ka bërë Kosovës është i vlerësuar në këtë raport, por, sipas tij, aty janë të adresuara edhe kritika. Ai theksoi se do të punohet bashkarisht në kapërcimin e sfidave që Kosova ka përpara dhe që evidentohen në këtë raport.

Duke shfaqur shpresën që nëpërmjet këtij raporti, nga vendet partnere të BE-së, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet shumë shpejt lëvizja e lirë pa viza, Veseli tha se “Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i palëkundur drejt Bashkimit Evropian. Çdo të gjetur në këtë raport, ne e pranojmë plotësisht, si progresin ashtu edhe kritikat, sepse janë shumë reale”.

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, pas marrjes së raportit tha se komentin e tij do ta japë pasi të analizohet raporti.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja e Posaçme e BE-së Nataliya Apostolova sot me rastin e publikimit të raportit të progresit për vitin 2016 do të mbajë një konferencë për media.

Me këtë rast do të mbahet edhe një konferencë për media nga Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Komisioni Evropian në Bruksel sot publikoi raportin mbi progresin për vitin 2016 për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.