Komiteti i Helsinkit përshëndet deklaratën për Kosovën të kryetarit të Akademisë së Shkencave të Serbisë


E martë, 20 Tetor 2015

Beograd – Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, ka përshëndetur sot “aktin e guximshëm” të kryetarit të akademisë së shkencave të Serbisë, Vladimir Kostiq, i cili e njeh realitetin se Kosova është shtet i pavarur, dhe ka bërë të ditur se çështja e maturisë së elitës serbe “tashmë është shfaqur në mënyrë të qartë tek opinioni serb”, shkruan Politka.

Në këtë organizatë thonë se deklarata e kryetarit të akademisë është e rëndësishme, sepse me atë distancohet nga “politika e dëmshme dhe rolin që akademia e kishte dikur në krijimin e projektit të Serbisë së Madhe”, transmeton lajmi.net.

Komitetit i Helsinkit e ka vlerësuar si të papranueshme deklaratën e presidentit serb Tomislav Nikoliq, i cili dënoi aktin e Kostiq, duke ia cenuar fillimisht të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes.

“Opinioni serb në përgjithësi është i vetëdijshëm për këtë fakt, por për shkak të manipulimit të vazhdueshëm politik dhe mediatik, dhe nga presioni i vazhdueshëm ka homogjenizuar çështjen e Kosovës”, thuhej në një komunikatë.

Në pjesën tjetër të komunikatës, thuhej se do të ishte mirë që akademia e shkencave të Serbisë, të “iniciojë një dialog social me qëllim që të respektohet realiteti, që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën (dhe Shqipërinë), si dhe pajtimin historik me shqiptarët”.
“Nëse akademia e shkencave serbe qëndron prapa deklaratave të kryetarit të saj, Serbia do të fitojë shansin të fillojë procesin i cili i hap perspektivën për të ardhmen”, thuhej në fund të komunikatës./lajmi/