Kompromis ose zgjedhje


E diel, 21 Shtator 2014

Prishtinë – Raporti i forcave në Kuvendin e Kosovës është treguar në seancën e 18 shtatori, dhe ajo çfarë duhet të ndodhë tani është që Partia Demokratike e Kosovës të lë të hapur rrugën, në mënyrë që vendi të bëhet me institucione. Në rast se PDK nuk lëshon “pe”, atëherë dy taborët duhet të arrijnë një marrëveshje me anë të së cilës posti i kryeparlamentarit t’i takojë PDK-së, e ai i kryeministrit bllokut paszgjedhor LAN.

Në mungesë kompromisi, vendi shkon drejt zgjedhjeve, skenar ky që nuk po preferohet, por po bëhet gjithnjë e më i mundshëm si rezultat i pozicioneve të ngrira të të dyja palëve.

Dren Doli nga Grupi për Studime Politike, në një prononcim dhënë gazetës Tribuna ka thënë se 18 shtatori është dashur të shërbejë si mësim për PDK-në dhe që kjo e fundit të heqë dorë përfundimisht nga insistimin në atë që është subjekti i vetëm që ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Ju qartësua qytetarëve se cili është konstruksioni i mbështetjes për Partinë Demokratike të Kosovës në Kuvend. PDK tashmë e ka të qartë që pozicioni i kryeparlamentarit nuk mund të arrihet pa një marrëveshje apo pa heqje dorë për shkak të rezistencës së bllokut tjetër parlamentar që është krijuar në kuvend”, ka thënë Doli. /Tribuna/