Komuna e Prizrenit nga sot filloi me realizimin e testeve të shpejta (rapide) për Covid-19


E martë, 22 Dhjetor 2020

PRIZREN – Për herë të parë në nivel të Republikës së Kosovës, nga sot Komuna e Prizrenit ka filluar me realizimin e testeve të shpejta (rapide) antigjen për Covid-19 në shëndetësinë primare.

Qytetarët e komunës së Prizrenit tanimë do të mund t’i kryejnë këto teste në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr, duke e marrë rezultatin me 98,8% saktësi brenda 10 minutave.

Po ashtu, një ekip tjetër lëvizës përmes “kujdesit shtëpiak” të ofruar nga Komuna, do t’i realizojë këto teste tek shtëpitë e pacientëve që nuk mund të shkojnë në qendrat e lartëcekura të mjekësisë familjare.

Kryetari Haskuka tha që ndjehet i lumtur që përveç këtyre testeve, tanimë komuna ka kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar: Testet e D-Dimer-it, Rentgenin e mushkërive, Analizat tjera të nevojshme dhe Testet serologjike,

Për informacione më të hollësishme në lidhje me caktimin e termineve, mund të vizitoni mjekët në qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Shpresojmë që Kosova të mos hyjë në valën e tretë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tani është gati për t’u përballur me të.”, njoftoi kryetari Haskuka përmes rrjetit social Facebook.

Etiketa: , , , , ,