E diel, 20 Nëntor 2022
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot pritet të udhëtojë për në Bruksel.
Ai nesër do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në kryeqytetin europian, thuhet në njoftmin e zëdhënësit të Qeverise, Perparim Kryeziu.
Ky takim vjen pas ultimatumit që Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell i dha palëve kosovare dhe serbe që çështja e targave të zgjidhet jo më larg se 21 nëntori i këtij viti.
Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.
Por, me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë vendimin për targat për dhjetë muaj, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e tij në faza më 1 nëntor.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme; e dyta gjobën prej 150 eurosh dhe e treta shpërndarjen e targave të përkohshme.
Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.
Kosova po bënë gjënë e duhur në lidhje me targat dhe shpresojmë të arrihet një zgjidhje që nuk e ulë prestigjin e rendit të ligjit në pjesën veriore të vendit.
Etiketa: Aktuale, Bashkimi Europian, Kosova, kurti, Serbia, Vucic