E shtunë, 10 Maj 2014
Presidentja Atifete Jahjaga, ministrja Vlora Çitaku, ish deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuese nga bota e artit dhe kulturës, të shoqërisë civile dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, i janë bashkuar fushatës botërore #bringbackourgirls, për lirimin e 276 vajzave të kidnapuara në Nigeri nga militantët e grupit Boko Haram.
Siç dihet, këto vajza janë rrëmbyer qysh më 14 prill dhe militantët janë zotuar se do t’i shesin ato.
Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama, ka thënë se kidnapimi masiv i vajzave në Nigeri është model i kërcënimeve dhe frikësimeve me të cilat përballen vajzat që duan të ndjekin shkollimin.
Ajo ka folur sot – në vend të bashkëshortit të saj – në adresimin e përjavshëm presidencial.