Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova ka mungesë të madhe në punime shkencore

Prizren Post | 15:43 - 11.12.2016

Prishtinë – Kosova gjatë 12 viteve të fundit ka 826 punime shkencore, duke u renditur vendi me më së paku punime në rajon. Gjendja e tillë është alarmante dhe të gjithë duhet fokusohen për ta rregulluar atë. Kështu u tha në tryezën shkencore me temën “Arsimimi dhe shkenca në Kosovë në fazë me shkencën ndërkombëtare dhe nevojat zhvillimore të Kosovës”, të organizuar nga Qendra Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës.

Në këtë tryezë u bë evidentimi i të metave ekzistuese në politikat zhvillimore arsimore-shkencore, kurrikulat, tekstet mësimore, profesionalizmin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies dhe të metat shkencore dhe didaktike të librave apo njësive metodike të caktuara.

Albena Reshitaj nga Universiteti i Prishtinës, në këtë tryezë paraqiti cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë, ku tha se sipas raportit të nxjerrë nga Instituti Demokraci për Zhvillim, interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit, ku vetëm ndërmjet vitit 2004 deri në vitin 2015, numri i studentëve është trefishuar.

“Ndërmjet vitin 2004- 2015, numri i studentëve është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë. Sot Kosova është e para në rajon me 6 mijë e 669 studentë në 100 mijë banorë. Kjo fryrje e shpejtë e universitetit thuhet në raport e ka dëmtuar shumë cilësinë e mësimdhënies dhe relevancën e programeve për nevoja të tregut të punës”, tha ajo.

Reshitaj tha se ndër shkaktarët kryesorë të rënies drastike të cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë janë pranimin në Universitet me korrupsion dhe me nepotizëm, mungesa e literaturës e të tjera.

“Shkaktarët kryesorë të rënies drastike të cilësisë se arsimit të lartë në Kosovë janë metoda e avancimit dhe rizgjedhjes me automatizëm dhe me mungesë të projekteve personale studimore të këtyre mësimdhënësve për arritje dhe performacë të lartë shkencore. Niveli i ulët i metodave të mësimdhënies, pa tekste universitare të lëmive përkatëse nga të njëjtit. Shumica e profesorëve tanë universitarë pensionohen dhe ende nuk kanë asnjë libër të botuar, kur ka nevojë për më shumë literaturë shkencore, bile edhe për përkthime për libra të botuar në gjuhen shqipe, ku provimet të ne ende mësohen me skripta dhe me fletushka. Mungesa e njohurive të gjuhës angleze e bënë të hendikepuar po të njëjtin kuptim të bashkëpunimit ndërkombëtarë dhe shkëmbimeve me universitetet tjera prestigjioze evropiane. Mos të harrojmë edhe pranimin në universitete me korrupsion dhe me nepotizëm”, tha ajo, raporton KP.

Më tej, Reshitaj tha se a do të vazhdojë Ministria e Arsimit, Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera të arsimit të lartë të mbartin përgjegjësinë që nesër të ndodh edhe një dështim i formatit PISA për nivelin e arsimit të lartë universitar.

Si panelist në këtë tryeze nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ishte edhe Murtez Osdautaj, i cili paraqiti numrin e botimeve shkencore në 10 vjeteshin e fundit në vendet e Ballkanit, ku sipas tij, Kosova në 12 vitet e fundit ka botuar 826 punime që sipas tij, kjo gjendje është alarmante.

“Me çka matet gjendja e shkencës në një vend të caktuar? Janë tre faktorë. Është numri i burimeve shkencore të botuara në revista me impakt faktorë, numri i patentave të njohura ndërkombëtarisht dhe numri i novacioneve. Unë kam sjellë në këtë tabelë numrin e burimeve shkencore në 10 vjetshin e fundit në vendet e Ballkanit, ku shihet se Kroacia ka rreth 56 mijë 561 punime, Maqedonia ka 6 mijë e 187 punime dhe është Kosova, e cila në 12 vjeteshin e fundit ka 826 punime. Gjendja e tillë është alarmante dhe ne të gjithë duhet të fokusohemi në rregullimin e kësaj gjendje, sepse më vonë do ta shihni Kosova edhe në këtë mes është në vendin e fundit”, tha ai.

Osdautaj tha se po i sjellë këta numra për të parë gjendej tonë të përgjithshme, pasi që sipas tij, PISA nuk është diçka e rastësishme apo e papritur.

“Në fakt, unë po i sjelli këta numra që ta shohim gjendjen tonë të përgjithshme dhe pastaj të mendojmë për PISA-në, çka na ndodhi me PISA, PISA nuk është diçka e rastësishme e papritur që na ka befasuar’’, tha Osdautaj.

Kjo tryezë u mbajt nga Qendra Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës, përkatësisht nga Departamenti për arsim, shkencë dhe teknologji, i cili u përkrahë nga “Fondacioni Behgjet Pacolli”./Telegrafi/


Arivisti Company