Kosova në ethet zgjedhore vendore


E hënë, 19 Maj 2014
Faik MIFTARI

Faik MIFTARI

Kanë mbetur vetëm edhe tre javë kur qytetarët e Kosovës do të drejtohen vendvotimeve për të zgjedhur deputetët për Kuvendin e ri të Kosovës. Edhe pse zyrtarisht nuk ka nis fushata zgjedhore (28 maj), Kosova ka hyrë fuqishëm në fazën e etheve zgjedhore vendore. Para se të bëjë një analizë subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme vendore, do të përshkruaj një prezentim të shkurtër të zhvillimit ekonomik dhe rritjes ekonomike në Kosovë në periudhën e dekadës së fundit (2003-2013).
Kosova gjatë vitit 2003 ka pas një rritje ekonomike prej 2%, ku kanë qenë të punësuar rreth 300.000 punëtor në sektorin privat si dhe rreth 40.000 të punësuar në sektorin publik apo shtetëror. Edhe gjatë vitit 2004, 2005, 2006 ka qenë përafërsisht një rritje ekonomike prej 2%, që kjo rritje ekonomike në shkallë vendi arrin në shkallë prej 4-5% gjatë vitit 2007 dhe 2008, që pas kësaj kohe rritja ekonomike prapë nisi të bie dhe vazhdoi me trend të njëjtë rritjeje ekonomike rreth 2% në nivel vendi gjatë viteve 2010, 2011, 2012, 2013. Numri i të punësuarve në sektorin publik rritej në një shkallë shumë më të madhe, në krahasim me sektorin privat, ashtu që në vitin 2010 arriti në 70.000 të punësuar, ku Bashkimi Evropian iu tërhoqi vërejtjen se kjo nuk mund të tolerohet, por kjo vërejtje jo që nuk u përfill, por numri i të punësuarve në sektorin publik vazhdoi të rritet edhe gjatë mandatit qeverisës të Thaçit 2, ashtu që në fund të vitit 2013 arriti në mbi 80.000 të punësuar në sektorin publik të administratës shtetërore të Kosovës. Por në një të ardhme jo shumë të largët kur Kosova do të afrohet rrugës së aderimit në Bashkimin Evropian, dhe kur njëra prej kushteve të shumta që duhet të plotësohen do të jetë edhe zvogëlimi i administratës publike, atëherë do të lindin problemet të mëdha që do të duhet të shkurtojnë vendet e punës dhe të largojnë punëtorët nga sektori publik, por shkurtëpamësia dhe verbëria politike e liderëve politik nuk ja vejnë veshin, por qëllimi i tyre është që me të gjitha mjetet e mundura të arrijnë marrjen e pushtetit pa çarë kryet për pasojat që do të paraqiten në një të ardhme jo të largët. Gjatë viteve 2003-2013 kemi një rritje prej 100% të punësuarve në sektorin publik, nga 40.000 në 80.000 të punësuar. Në sektorin privat për 10 vite kemi pas një rritje pothuajse minimale, gjithsejtë vetëm 50.000-60.000 të punësuar, që do të thotë numri i të punësuarve brenda një viti është sjell 5000-6000 të punësuar, duke marr parasysh se për çdo vit tregut të punës së Kosovës i shtohen 30.000 punëtor, kjo me të vërtet është mjerim! Pas këtyre parametrave të cekura më lartë, gjatë dekadës së kaluar në Kosovë, të gjitha premtimet, zotimet që janë duke u dëgjuar gjatë këtyre ditëve nga liderët partiak në Kosovë, se” gjatë mandatit vijues katërvjeçar do të punësohen 200.000 vetë, GDP-ja në Kosovë do të arrijë në 8-10 miliard euro, buxheti i Kosovës do të arrijë në 3-4 miliard euro, do të kemi një fond punësimi prej 1,5 miliard euro e kështu me radhë” këto janë vetëm “fontanë dëshirash” të “Përrallave nga 1001 net”, lere që nuk ka as gjasa teorike e lere më praktike të realizohen, duke pas të njohura parametrat e cekura më lartë të rritjes ekonomike të Kosovë dhe trendeve të punësimit.
PDK-në si bartëse e qeverisë në dy mandatet e kaluara, 2008-2010 dhe 2011-20014, e ka kapluar paniku se kësaj here ka gjasa reale që të humb zgjedhjet, dhe se i ka aktivizuar të gjitha potencialet e saja dhe të gjitha mjetet që i ka në dispozicion që të dalë prapë fituese, bile vetëm edhe 1% vota të fituara më shumë se LDK-ja me të vetmin qëllim që të ketë mundësinë e fitimit të mandatorit të qeverisë së ardhshme në Kosovë. A do të arrijë këtë do të shohim natën e 8 qershorit, por që me të vërtet alarmi i kuq është i ndezur tek ata, shihet në çdo hap dhe veprim të tyre politik. PDK-ja për dallim nga partitë tjera politike rivale, sikurse LDK-ja, VV-ja, AAK-ja, AKR-ja, ka formuar një koalicion të gjerë prej 5 subjekteve politike. PDK-ja do të garojë në koalicion me PD-në, LB-në, PSHDK-në, PK-në, për çudi nuk po figuron edhe ADK-ja, por po duket se, pasi që fusnota famoze e Edita Tahirit akoma nuk po shkrihet si fluskë e sapunit, ka vendos bile ajo që në vend të fusnotës, vet të shkrihet me ka krejt në PDK. Këtë koalicion mish mash as analistët më të njohur politik nuk po mund të kuptojnë, se çfarë i ndërlidh me vete, të gjithë së bashku janë bërë, ish krahu i luftës, ish majtistët, e tani djathtistët, nacionalistët, myslimanët, katolikët, konservatorët, biznesmenët, pjesëtarët e ish shoqërisë civile etj. Sipas meje kjo mund t’i përgjigjet thënies së dikurshme të Pashko Vasës” mos shikoni kishë e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”. PDK-ja largimin e një pjese të anëtarësisë si dhe daljes në skenë të NISMËS, po përpiqet të kompenzojë me transferet dhe aderimet e shumta që në një masë të madhe ka arritë duke i përvetësuar një numër biznesmenësh të njohur të Kosovës që me forcën dhe autoritetin e tyre me siguri do të sjellin votat e duhura . A do të arrijë PDK-ja të del fituese e këtyre zgjedhjeve do të varet prej shumë faktorëve, porse sipas meje faktori kyç për PDK-në do të jetë se a do të kalon pragun zgjedhor NISMA për Kosovën.
LDK-ja si forcë e dytë politike e vendit do të përpiqet që në këtë garë zgjedhore të del e para dhe pas një mandati të kaluar në opozitë të kaloi në pozitë që të formoi qeverinë, edhe pse është përpjekur të arrijë koalicionin parazgjedhor me AKR-në, nuk ia arriti dot, që me të vërtet do të jetë një hendikep i madh për te, duke marr parasysh koalicionin e gjerë të formuar nga PDK-ja. Këto zgjedhje për LDK-në do të jenë ”to be or not to be”, në rast se del fituese LDK-ja ka gjasa që ajo të formojë koalicionin edhe me PDK-në, bile në kohët e fundit ka qenë prezent një përafrim apo një pajtim në heshtje në mes tyre, ashtu që në rast se LDK-ja del fituese dhe Isa Mustafa bëhet mandator i qeverisë së re, nuk është befasi që të arrijë një marrëveshje të përbashkët me PDK-në për bashkëqeverisje, dhe që të dytë së bashku të shkarkojnë presidenten Atifeten, për të zgjedhur Hashim Thaçin president, në rast se arrijnë të marrin mbështetjen e faktorit të jashtëm vendimmarrës në Kosovë. Në rast se LDK-ja nuk del fituese, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër por që Isa Mustafa të jap dorëheqje, pasi që pas humbjes së garës zgjedhore për Prishtinën, e tani edhe për Kosovën, nuk i mbetet më kredibilitet i lidershipit politik të LDK-së dhe se LDK-ja do të duhej në tërësi pas kësaj të hyjë procesit të gjithanshëm të reformimit të saj të plotë.
VV-ja edhe pse me aderimet dhe transferet e fundit që ka pas, nuk ka përfituar ndonjë peshë të madhe, pasi që aderimet e tilla pas vetes nuk do të sjellin vota në një masë më të madhe, VV-ja do të ketë sukses nëse arrin të rris numrin e votave apo bile të mban numrin e votave të fituara në zgjedhjet e para për VV-në që ka garuar në nivel vendor, duke marr parasysh se vjet në zgjedhjet në nivel lokal ka pas një ulje prej 20.000 votave, sido që të jetë VV-ja do të del prapë e treta për nga numri i votave të fituara edhe në këto zgjedhje vendore që do të jenë me të vërtet një sukses i madh i tyre, pasi që gjatë mandatit të kaluar e vetmja ka qenë opozitë e denjë në Kuvendin e Kosovës.
AAK-ja në këto zgjedhje pritet të ketë rënie të theksuar të votave, duke marr parasysh ikjet e shumta që kanë ndodh nga gjiri i saj, por edhe për rezultatet e dobëta të arritura në zgjedhjet e kaluara lokale. Po kësaj i ka kontribuar edhe disa deklaratat të pamatura gjatë kohës së kaluar të lidershipit të saj Ramush Haradinaj të cilat me të vërtet kanë ndikuar në zbehjen e saj. Sido që të jetë në rast se arrin të fitojë votat që i ka pas në zgjedhjet e kaluara vendore do të ishte sukses i madh për AAK-në.
AKR-ja ka bërë befasi të madhe, në krahasim me zgjedhjet e kaluara vendore kur ka hyrë në garë me një koalicion të gjërë për të kaluar pragun zgjedhor, tani ka vendos të hyjë e vetme në garë zgjedhore edhe pse ka pas oferta për koalicion parazgjedhor. Por sipas të gjitha gjasave plani i tyre është se pa marr parasysh se kush do të fitojë, PDK-ja apo LDK-ja, ajo do të hyjë në koalicionin qeverisës si me njërën ashtu edhe me tjetrin subjekt, pasi që lidershipi i saj Behgjet Pacolli nuk mund të paramendon dot pa e parë veten si pjesë përbërëse e qeverisë udhëheqëse edhe gjatë mandatit vijues. Por kjo lojë politike mund të jetë shpatë me dy teha, pasi që ka mundësi eventuale që AKR-ja për pak të mos e kalojë pragun zgjedhor dhe të mbetet jo vetëm jashtë qeverisë por edhe jashtë parlamentit.
NISMA është subjekt i ri i posa themeluar nga Fatmir Limaj e Jakub Krasniqi, pas ndarjes së tyre nga PDK-ja. Por ka qenë kohë e shkurtër për NISMËN në dispozicion për zgjerimin apo konsolidimin e radhëve të saja, pra, do të jetë shumë vështirë për një kohë të shkurtër të arrijë rezultatin e duhur, po në rast se eventualisht do të kalojë pragun zgjedhor do të ishte një sukses i madh për NISMËN për Kosovën.
PD-ja në këtë garë zgjedhore hyri me një veprim të pamatur politik, duke hyrë në koalicionin e gjerë me PDK-në, edhe pse gjer tani ka qenë pjesë përbërëse e qeverisë së tanishme në largim. Edhe pse ka pas oferta për një koalicion të grupimeve politike myslimane, LISBËS së Fuad Ramiqit dhe Nismës për drejtësi dhe zhvillim të Amir Ahmetit, që së bashku të hyjnë si një bllok të vetëm, me të cilin ndoshta edhe do të kishin kaluar pragun zgjedhor, dhe do të përfaqësonin interesat e qytetarëve të këtyre grupimeve. Kryetari i PD-së Ferid Agani ka qenë ai i cili në asnjë mënyrë nuk ka pranuar këtë koalicion, edhe pse i ka pas duart e lira jo vetëm që të jetë bartës i këtij koalicioni, por edhe të përcaktoi se si dhe në çfarë pozite do të jenë kandidatët tjerë të radhitur për deputet. Por dëshira e tij ka qenë që këta të gjithë të hyjnë në listën e PD-së, duke ja ofruar vetëm vendet respektabile në listë. Por sipas të gjitha gjasave ai ka bërë marrëveshje paraprake me PDK-në që në fund doli edhe e vërtetë, dhe se qëllimi i tij nuk ishte përfaqësimi i interesave të këtyre grupimeve të caktuara politike myslimane në koalicion parazgjedhor, por rezervimi për karrierën vetanake, bile në rast se nuk do të jetë më ministër në qeverinë e ardhshme, të jetë së paku deputet në legjislativin e ardhshëm të Kosovës. Deklarata e tij dhënë në media se do të sjell” 35000-40.000 vota koalicionit të sapokrijuar” është vetëm një ëndërr e tij, të cilin numër votash eventualisht do të kishte arritur me koalicionin e ofruar më parë, por i refuzuar në mënyrë kategorike nga ana e tij. Është një thënie profetike e mirënjohur: ” se në rast se gjarpri njëherë të kafshon nga një gropë, mos prit që edhe të dytën herë të të kafshojë gjarpri nga e njëjta gropë”.
Sido që të jetë, në përmbyllje të këtij vështrimi do të konkludoja se me rëndësi është që fushata parazgjedhore të kalojë e qetë dhe në mënyrë të dinjitetshme, dhe se votimet të kalojnë pa manipulime dhe vjedhje eventuale të votave sikurse që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara vendore në vitin 2010,e rezultati i votimeve që do të del do të jetë pasqyrë e votës së popullit (sovranit) i cili në mënyrë demokratike me votën e tij do të zgjedh përfaqësuesit e vet, deputet të ardhshëm në Parlamentin e Kosovës.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.