Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova pret përgjigje njerëzore nga FIFA për yjet e saj

Prizren Post | 11:44 - 15.07.2016

FFK-ja ka kërkuar sqarime për tri grupet e lojtarëve: ata që më herët kanë luajtur përfaqësueset A të shteteve tjera dhe për ata që kanë luajtur për grupmoshat më të reja të vendeve tjera, e të cilët tash e një kohë luajnë për Kosovën dhe për yjet si Shaqiri, Xhaka, Behrami e shumë të tjerë, që luajnë për shtetet tjera e që nuk kanë luajtur më herët për Kosovën.

“Jam i informuar për të gjitha proceset që janë duke ndodhur. Së pari jemi në pritje të një përgjigjeje të shpejtë nga FIFA, pastaj fillojnë aplikimet individuale të futbollistëve”, ka thënë për “Zërin” përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.

Lojtarët që planifikojnë të luajnë për Kosovën e që kanë luajtur më moti për reprezentacionet A të shteteve tjera, apo për grupmoshat më të reja të tyre e mbi të gjitha yjet si Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj, etj, duhet të bashkëpunojnë ngushtë me FIFA-n në procesin e transferimit në reprezentacionit kosovar. Ata duhet t’i deponojnë dokumentet e të dy shteteve – Kosovës dhe të shteteve për të cilat luajnë aktualisht.

“Rrethanat specifike të çështjes në fjalë në lidhje me pranimin e një anëtari të ri në FIFA (domethënë Federatës së Futbollit të Kosovës) dhe lojtarët potencialë për të luajtur për të duket të mos jetë e rregulluar përfundimisht në dispozitat e sipërpërmendura, në mënyrë specifike, në lidhje për lojtarët që nuk kanë pasur shtetësi përkatëse (kosovare) paraprakisht, para ndeshjes së tyre të parë ndërkombëtare në konkurrencë zyrtare për federatat e tyre aktuale ose që tashmë ka luajtur një ndeshje në një garë zyrtare nivelin ndërkombëtar A për federatën e tyre aktuale”, thuhet në një përgjigje elektronike që FIFA ia ka dërguar gazetës “Zëri”.

“Rrjedhimisht, kjo do të jetë përgjegjësi e organit kompetent vendimmarrës, domethënë Komitetit për Statusin e lojtarët e FIFA-s, për të vendosur mbi një kërkesë përkatëse dhe konkrete për ndryshimin e Federatës nga një lojtar i veçantë në fjalë dhe do të varet prej atyre nëse do të pranojnë një kërkesë të tillë apo jo”, theksohet në sqarim.

Selektori kosovar pret përgjigje korrekte nga FFIA. “Unë besoj se përgjigjja e FIFA-s do të jetë pozitive duke u bazuar në të drejtën njerëzore dhe demokratike dhe diçka tjetër pos kësaj do të ishte totalisht e papranueshme. Por, duhet të përgatitemi për të gjitha opsionet”, u shpreh Albert Bunjaki.


Arivisti Company