Kosova shton masat në kufi, ruhet edhe godina e qeverisë


E martë, 22 Mars 2016

policia e kosoves

Prishtinë – Sulmet e një pas njëshme në Bruksel kanë rritur masat e sigurisë edhe në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar vet zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.


“Duke iu referuar situatës së fundit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë me qëllim ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë vendin”, citohet të ketë thënë për “Klan Kosova”, Baki Kelani.

“Me qëllim të parandalimit të sjelljeve të të dyshuarve që kryejnë ndonjë vepër të tillë penale Policia e Kosovës, është duke monitoruar çdo lëvizje edhe pse deri më tani Kosova, nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në vend”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka kontrolluar dhe shtuar masat e sigurisë edhe në objektin e Qeverisë dhe atë të Kuvendit.

Masat vijnë pas sulmeve që ndodhën gjatë mëngjesit të sotëm, në Bruksel, ku tri shpërthime të mëdha terroristë lanë të vdekur 34 persona dhe afro 200 të plagosur.

Ndërkohë, krerët e shtetit kanë dënuar sulmet në Bruksel. Presidentja Atifete Jahjaga, përmes reagimit të saj ka deklaruar se, Kosova solidarizohet me familjet e viktimave në Bruksel dhe dënon ashpër sulmet terroriste.

Ndërsa kryeparlamentari Veseli i ka cilësuar “sulme barbare”, ato që ndodhen gjatë mëngjesit të sotëm në Bruksel. Sipas Veselit, terrorizmi që po lëndon dhe shkakton viktima, kurrë nuk do të arrijë t’i rrënojë vlerat tona europiane. Edhe kryeministri Isa Mustafa ka shprehur ngushëllimet për viktimat në Bruksel.