Kostoja e krizës në Shqipëri, 2. 5 miliardë dollarë


E enjte, 12 Dhjetor 2013

Rreth 278 milionë euro kanë dalë nga Shqipëria në tremujorin e tretë të vitit, në formë paraje cash apo depozitash.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kjo është vlera më e lartë e parasë që ka dalë nga vendi që nga tremujori i fundit i vitit 2008, kur ndodhi një tërheqje masive e parave nga bankat nga frika e krizës financiare që sapo pati shpërthyer. Në mungesë të të dhënave më të hollësishme, hipoteza kryesore që mund të shpjegojë daljen e një sasie kaq të madhe paraje mund të jetë pasiguria e individëve apo sipërmarrjeve të caktuara nga ndërrimi i pushtetit në zgjedhjet e Qershorit. Një faktor tjetër mund të jetë transferimi i fondeve jashtë nga institucione financiare, në mungesë të alternativave të investimit në vend.

Por, paketa e Bankës së Shqipërisë me masave për nxitjen e kreditimit ju përcaktoi bankave koeficiente më të lartë rreziku për vendosjet jashtë vendit, çka natyrisht nuk e inkurajon nxjerrjen e parasë jashtë. Për këtë arsye, nuk besohet që bankat të kenë një pjesë të madhe në nxjerrjen masive të parasë jashtë vendit, që me shumë gjasa është bërë prej individëve apo subjekteve të tjera private. Nga ana tjetër, sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 119 milionë eurove, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 141 milionë euro. Në total, për 9-mujorin 2013, remitancat kanë rënë me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Kriza ekonomike po pasqyrohet qartë në rënien e remitancave, që janë një burim i rëndësishëm për konsumin privat në ekonomi. Megjithatë, në tërësi bilanci i llogarisë korente që mat diferencën mes hyrjes dhe daljes së valutës në ekonomi këtë vit duket më i përmirësuar. Për tremujorin e tretë, deficiti i llogarisë korrente ishte 438 milionë euro, 19% më i ulët krahasuar me një vit më parë./shekulli