Krejt Theranda në këmbë


E diel, 22 Shkurt 2015

Therandë – I madh e i vogël në Therandë janë çuar në këmbë. Therandasit po i japin zemër ekipit të tyre, Yllit, që të dielën ta mposhtë edhe Sigal Prishtinën, ashtu siç i ka gjunjëzuar deri më tani të gjitha skuadrat e tjera kosovare. Ylli dhe “Xhebrailat” besojnë!

I madh e i vogël në Therandë janë çuar në këmbë në pritje të ndeshjes së madhe, e cila do të zhvillohet të dielën, e në të cilën ekipi i zemrës i tyre, Ylli, do ta sfidojë skuadrën më të madhe në vend, Sigal Prishtinën.

Ylli është ekipi që e ka zbukuruar këtë edicion, gjë që e konfirmon fakti se në shtatë ndeshjet e fundit ka shënuar fitore. Secili ekip elitar tashmë ka shijuar humbje nga therandasit, në përjashtim të Sigal Prishtinës.

Andaj, e gjithë Theranda është çuar në këmbë në përkrahje të lojtarëve të tyre, që t’i mposhtin edhe më të trofeshmit e basketbollit kosovar.

“Interesimi është shumë i madh. Në Therandë festa tashmë ka filluar. Në çdo ndeshje kemi përplot shikues, sepse Theranda jeton me basketbollit. Por, duke e ditur se të dielën do të luajmë me ekipin më të madh dhe më të trofeshëm në Kosovë, interesimi është akoma më i madh”, tha për “Zërin” trajneri i Yllit, Agron Berisha.

Ky i fundit nuk ia ka frikën Sigal Prishtinës. “S’ka dyshim, është klubi më i madh dhe më i trofeshmi. Por, ne jemi në formë të mirë. Secilën herë kemi ngritje të formës. Mbështetjen e tifozëve e kemi shumë të madhe. Kemi fituar në shtatë ndeshjet e fundit dhe kjo tregon se kemi mundësi të fitojmë edhe ndaj Sigal Prishtinës. Unë besoj dhe shpresoj se do të fitojmë”, u shpreh Berisha, i cili thotë se djelmoshat e tij nuk kanë aspak frikë nga Dardan Berisha e Edmond Azemi dhe shokët e huaj të tyre.

“Ne jemi në vend të katërt. Do të garojmë në ‘Play-Off’, edhe pse objektiv i yni ka qenë mbetja në Superligë. Kështu që ne do të hyjmë të qetë e të relaksuar në lojë, kështu që frika duhet të kaloj te ekipi tjetër, sepse ne kemi fituar ndaj secilit ekip, edhe ndaj Pejës, të cilën veç Prishtina ka mundur ta mposhtë në këto vitet e fundit”, u shpreh Berisha, i cili beson në kualitetin e basketbollistëve të tij.

“Unë besoj se ndeshja do të vendoset krejt në fund. Më moti kështu pati ndodhur, por e patëm humbur takimin, shkaku i mungesës së përvojës. Por, nëse na afrohet edhe njëherë ai rast, do ta shfrytëzojmë”, përfundoi ai.

Mirëpo, Ylli nuk do ta ketë të lehtë, pasi Sigal Prishtina duket më e përmirësuar javëve të fundit. Aktualisht është e para në tabelë me vetëm një humbje, krahas 18 fitoreve.

Ndeshja mes Yllit e Sigal Prishtinës do të zhvillohet në palestrën “13 Qershori” prej orës 19:00.