Krimeja votoi për bashkimin me Rusinë


E hënë, 17 Mars 2014

Rreth 93% e votuesve në Krime kanë mbështetur bashkimin me Rusinë dhe shkëputjen përfundimtare nga Ukraina. Kështu thonë exit poll-et e para të publikuara nga mediat ruse.

Votimi për referendumin aq të diskutuar në Krime përfundoi në orën 18:00. Tashmë pritet që të publikohen edhe rezultatet e para të saj.

Në fletën e votimit, votuesit u pyetën nëse kishin dëshirë që Krimea të ribashkohej me Rusinë. Ndërsa një pyetje tjetër ishte nëse duhet të kthehej statusi i Kushtetutës së 1992-shit, ku rajoni i Krimesë gëzonte një autonomi më të madhe.

Për ata qytetarë që kërkojnë zgjidhje kushtetuese të kësaj çështjeje nuk kishte alternativa. Të drejtën e votës për këtë referendum e kishin 1.5 milionë qytetarë.

SHBA-të: Nuk e njohim referendumin

Pjesëmarrja e votuesve në referendumin e mbajtur sot në Krime është vlerësuar në rreth 64 për qind. Referendumi vendos nëse ky rajon lindor i Ukrainës do të shkëputet dhe do të bëhet pjesë e Rusisë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës bënë sot deklarata duke e quajtur referendumin të paligjshëm dhe jolegjitim. Ata paralajmëruan se rezultati i tij nuk do të njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ranë sot dakord për të nxitur reforma kushtetuese në Ukrainë lidhur me ndarjen e pushtetit dhe decentralizimin si zgjidhje të krizës së saj politike.

Gjatë një bisede telefonike, zoti Kerry i tha gjithashtu ministrit Lavrov se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin referendumin.

Agjencia e lajmeve “Reuters” njofton se Kryeministri ukrainas Arseny Yatsenyuk premtoi se do të gjejë personat që nxisin separatizmin në Krime. Ai tha se Ukraina do t’i gjejë të gjithë krerët e grupeve separatiste që po përpiqen të minojnë pavarësinë e Ukrainës.

Po në Kiev, ministri i mbrojtjes në detyrë i Ukrainës u tha gazetarëve se ministritë e mbrojtjes të Ukrainës dhe Rusisë kanë rënë dakord për një armëpushim në Krime deri më 21 mars.

Senatori republikan John McCain tha se “pushtimi” i Ukrainës lindore nga Rusia do të ishte një shkelje me pasoja tepër të mëdha, që mund të gjenerojë një përgjigje shumë të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

McCain foli në Kiev ku ndodhet me një delegacion të Senatit amerikan që po takohet me udhëheqësit e përkohshëm dhe të opozitës ukrainase.

Senatori tha se është tepër i shqetësuar lidhur me njoftimet se trupat ruse po i afrohen më shumë kufirit lindor të Ukrainës dhe po kryejnë manovra ushtarake.

McCain shtoi se nëse Rusia pushton Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë mund të shqyrtojnë veprime që nuk i kanë marrë me mend më pare në marrëdhënie me Rusinë.

McCain e cilësoi referendumin e planifikuar për sot një sajim, ndërsa demokrati Dick Durbin e cilësoi si një zgjedhje e tipit sovjetik, ku dihet qartë si do të dalë rezultati.

Etiketa: ,