E mërkurë, 2 Nëntor 2016
Prishtinë – Në ditën kur ka hyrë në fuqi Ligji për “Trepçën”, i cili shpëton nga likuidimi tri njësitë thelbësore të saj, Kuvendi i Kosovës ka sjellë në holin e vet një pjesë të vogël nga koleksioni i mineraleve dhe kristaleve, të nxjerra nga gjiganti i dikurshëm ekonomik i Kosovës.
Ekspozita “Kristalet e Trepçës” ka bërë që të martën institucioni ligjvënës të marrë pamjen e një minimuzeu, me gurë të llojeve të ndryshme, si kuarc, galen, gips, kalcit etj.
Në ngjarjen ku kanë marrë pjesë edhe studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka lidhur ekspozitën me Ligjin për “Trepçën”.
“Tani të gjithë ndihen të lehtësuar, pasi që një gjigant ekonomik dhe krenari e Kosovës, siç është ‘Trepça’, tanimë e ka të sigurt rrugëtimin dhe transformimin e vet, duke u vënë në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka thënë Veseli. Sipas tij, me hyrjen në fuqi të Ligjit për “Trepçën”, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafelle, por do të jetë pjesë e të mirave materiale, në shfrytëzim të qytetarëve e shtetit.
Për ekspozitë është shfrytëzuar koleksioni i muzeut të kristaleve “Trepça”.
Drejtori i këtij institucioni, Rasim Veseli, ka thënë se administrata e Kuvendit i është adresuar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me kërkesën për huazimin e disa prej tyre.
“Ata na kanë kontaktuar neve si menaxhment dhe ne me stafin tonë e kemi bërë përzgjedhjen”, ka thënë Veseli.
Kjo është hera e parë që koleksioni del jashtë muzeut raporton Koha Ditore