Irak, Malikiu dha dorëheqje, i dha fund bllokimit politik në Bagdad


E premte, 15 Gusht 2014

download (1)

Presidenti i vendit i kërkoi nënkryetarit të Parlamentit, Haider al Abadi të krijojë qeverinë e re. Maliki ishte vënë nën presion të madh për t’i hapur rrugën nënkryetarit të Parlamentit.

Zëdhënësi i zotit Maliki tha për AFP se kryeministri në largim do të tërheqë ankesën kundër Presidentit dhe do të mbështesë kryeministrin e ngarkuar.

Më herët, Obama ritheksoi nevojën që irakenët të gjejnë një zgjidhje krizës politike, duke e cilësuar perspektivën e një qeverie të re dhe gjithëpërfshirëse të udhëhequr nga Haider al Abadi si “një mundësi të madhe”.

Ndërkohë gjatë së enjtes, situata në malin Sinjar duket se është përmirësuar ndjeshëm, të paktën sipas fjalëve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili tha se “shumë nga të zhvendosurit kanë lënë tashmë malin dhe operacione të mëtejshme shpëtimi po zhvillohen”.

Megjithatë, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat irakene dhe ato kurde, që po luftojnë militantët, do të vazhdojnë të marrin asistencë ushtarake nga Uashingtoni, vijoi më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.