Kryeministri Mustafa: “Dituria Islame” dha kontribut të çmuar në promovimin e vlerave të Kosovës


E diel, 20 Nëntor 2016

dituria-islame-isa-mustafa

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në Sesionin Shkencor kushtuar 30 vjetorit të Revistës “Dituria Islame”.

Kryeministri Mustafa i përshëndeti të pranishmit e shumtë, ku ishin prezentë edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, krerët e Bashkësisë Islame të Shqipërisë e Maqedonisë dhe personalitete të tjera.

Kryeministri Mustafa e ka quajtur përvjetor të rëndësishëm jo vetëm për komunitetin islam por për Kosovën, duke e cilësuar atë një Revistë e cila ka lënë gjurmë të thella në etikën fetare edhe kombëtare të Kosovës.

Duke uruar që të vazhdojnë traditat dhe vlerat të cilat janë ndërtuar deri më tani në aspektin fetar dhe kombëtar, kryeministri Mustafa tha se Revista “Dituria Islame” sikurse edhe Bashkësia Islame, ka dhënë një kontribut dhe ndihmesë të madhe shoqërore në Kosovë, në promovimin e vlerave të mirëfillta të fesë islame, gjithnjë të lidhura me vlerat dhe atributet kombëtare.

“Në kohë shumë të vështira, ashtu siç u tha edhe këtu, Revista “Dituria Islame” ka përmbushur një mision tepër të rëndësishëm ndaj popullsisë në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, duke qenë në shërbim të informimit, edukimit dhe të orientimit të tyre. Ne kemi nevojë të kultivojmë respektimin e vlerave njerëzore, kemi nevojë të kultivojmë tolerancën ndërmjet njerëzve, ndërmjet popujve, ndërmjet religjioneve, të kultivojmë trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore dhe fetare, të mbrojmë parimet e një bote të lirë, të respektojmë të drejtat e njeriut dhe të drejtat fetare. Unë mendoj se Bashkësia Islame e ka dhënë një shembull të shkëlqyer këtu dhe kemi pas një tolerancë, një bashkëjetesë dhe një bashkëpunim të mrekullueshëm edhe me komunitetet tjera fetare dhe vet prania e Ipeshkvit sot këtu flet për një bashkëpunim të thellë dhe për një lidhje kombëtare që e kemi ne, duke respektuar edhe specifikat religjioze. Natyrisht se shumë nga këto vlera më parë i kemi ruajtur dhe trashëguar falë kësaj Reviste e cila ka lënë gjurmë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, prandaj uroj që Revista të vazhdoj edhe më tutje frymën e saj”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa, ka uruar që kjo konferencë shkencore të jap kontribut në thellimin e dijeve islame, por edhe të dijeve të përgjithshme të cilat ndihmojnë në ndriçimin e vlera të përbashkëta të njerëzimit dhe në krijimin e një ambienti në të cilin do të pasqyrohen, do të reflektohen dhe do të kultivohen vlerat njerëzore dhe vlerat fetare të Kosovës.