Kryeministri Thaçi takohet me presidentin Obama


E mërkurë, 25 Shtator 2013

Prishtinë, 25 shtator- Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj pritjeje, kryeministri Thaçi shkurtazi e ka njoftuar presidentin e SHBA-ve, Barack Obama për të arriturat e shtetit të Kosovës gjatë periudhës së paspavarësisë, dhe ka prezantuar vizionin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur në plotëni agjendën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke filluar nga procesi i çlirimit të Kosovës, procesi i pavarësisë dhe tani në procesin e integrimit në BE dhe në NATO.

Nga ana e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka vlerësuar lidershipin e Kryeministrit Thaçi në kuadër të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e tij konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Etiketa: , , ,