Kryetari i PDK’së premton fuqizimin e rinisë dhe grave


E diel, 21 Maj 2017

Në qytetin e tij të lindjes, Veseli i ka thënë se të rinjtë e Mitrovicës se në qeverisjen e re prioritet do të jetë fuqizimi i rolit të të rinjve. 

 “Ky është koncepti i fillimit të ri. Ky është koncepti që e dëshirojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë. Fuqizimi i rinisë, në mënyrë të veçantë rinisë, por edhe i grave, në mënyrë të veçantë po e ripërsëris edhe i grave. Nuk mund të ketë një shoqëri dhe shtet të zhvilluar, pa integrim të plotë dhe marrje të përgjegjësive nga gratë dhe rinia. Asnjë pjesë e shoqërisë nuk është më e shëndoshë, nuk është më e guximshme, nuk është më e mençur sesa rinia për ta çuar vendin përpara. Andaj ju jeni të obliguar të merrni vendime”, ka thënë Veseli.

 Kryetari i PDK-së ua ka shpjeguar të rinjve mitrovicas edhe arsyen e vendimit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij, Kosova kishte ngecur nga mungesa e vizionit të lidershipit në qeveri.

 “Për të gjitha këto ditë dhe këta muaj gjatë turit tim të dëgjimit, kam parë veçanërisht nga të rinjtë, një atdhedashuri të madhe për vendin e vet, por në të njëjtën kohë edhe brengosje. Brengosje se vendet e lira të punës po ngecnin, se zhvillimi ekonomik në vendin tonë po ngecte, dhe në të njëjtën kohë, integrimi i atdheut në Bashkimin Evropian dhe në NATO nuk ishte duke ecur në drejtimin e duhur”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, të gjitha këto ishin për arsye se kishim një lidership, i cili nuk kishte vendimmarrje e as guxim për vendimmarrje për të ecur përpara.