KS aprovon rezolutën për sanksione ndaj 6 drejtuesve të “shtetit islamik”


E diel, 17 Gusht 2014

Irak

Këshilli i Sigurimit të OKB aprovoi një rezolutë që vendos sanksione për 6 individë drejtues të Shtetit Islamik në veri të Irakut.

Rezoluta u votua në një kohë që nga terreni erdhën njoftimet për një masakër të xhihadistëve ndaj pakicës etnike Jazidi. 80 burra janë ekzekutuar dhe shumë gra e fëmijë janë marrë peng nga militantët në një fshat në malin Sinjar, të premten pasdite.

Nga ana tjetër, Ministrat e Jashtëm të BE të mbledhur në Bruksel, nuk vendosën për një koordinim në ndihmën ushtrake për kurdët, por e lanë në vendimarrje individuale të secilit shtet për t’u përfshirë në këtë operacion.

Gjithsesi, Britani, Çekia, Holanda dhe Gjermania thanë se do të ndihmojë me pajisje të nevojshme luftëtarët peshmerga.

E ndërsa në terren vijojnë bombardimet amerikane ndaj pozicioneve të militantëve të Shtetit Islamik përreth Mosulit, disa liderë politikë të pakicës suni deklaruan se do të konsiderojnë ftesën për t’u bërë pjesë e qeverisë së re të të moderuarit Hajdar Al-Abadi.