E shtunë, 5 Mars 2016
Tiranë – Kuvendi miratoi dje me 114 vota pro dhe asnjë kundër aktet nënligjore për dekriminalizimin. Vendimi erdhi pas disa ditëve negociatash të gjata, por dhe zvarritjeje të punimeve të kuvendit. Demokratët e konsideruan si arritje vendimin e djeshëm dhe draftin final, që sipas deputetit të PDsë, Oerd Bylykbashi, u arrit pas këmbënguljes së opozitës dhe ndërkombëtarëve.
Negociatori i demokratëve tha se mbetet në nderin e Parlamentit, që ta çojë deri në fund zbatimin e këtij ligji. Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ia faturoi opozitës të gjitha vonesat për miratimin e këtij projektvendimi. Por konsensusi nuk mjaftoi për opozitën, e cila menjëherë pas votimit njoftoi dhe bojkotin e saj deri në plotësimin e 3 kushteve, largimin e Armando Prengës nga Kuvendi, respektimin, sipas saj, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe krijimin e kushteve për funksionimin e komisioneve hetimore.
Seanca
“Fillon beteja e madhe për shqiptarët dhe për opinionin publik, që këta kriminelë të largohen, duke zbatuar ligjin. Sigurisht ne nuk do të tolerojmë për asnjë çast që ligji të kthehet në një germë të vdekur, por ky ligj të jetë në funksion dhe të largojë, duke filluar nga ata që mbajnë imunitete kushtetuese, funksione kushtetuese, deri tek nëpunësi më i thjeshtë civil”, tha dje Bylykbashi. Sipas tij, drafti final u arrit falë presionit opozitar dhe ndërkombëtar.
“Kjo që keni sot përpara është projektvendim shumë i detajuar që nuk lë shteg që kriminelët të shpëtojnë, as atyre që janë sot, as atyre që duan të hyjnë në të ardhmen duke u hequr alibinë atyre që i kandidojnë”, tha Bylykbashi. Por për kreun e deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, opozita ishte shkaktarja e vonesave, ndërsa ironizoi Sali Berishën. “Mesa duket doli tymi zoti Berisha, shyqyr që e lëshove më së fundi, se e mbajte ngrehur dy ditë. Ne jemi treguar serioz që në fillim”, tha Ruçi, edhe pse u shpreh mosbesues për aktet nënligjore. “Unë nuk e di se çfarë keni tjerrë në këtë projektvendim, unë jam këtu për të shprehur vullnetin e mazhorancës. Por uroj që në këtë tjerrje të madhe që keni bërë të mos na e hedhë Gjykata Kushtetuese”, tha Ruçi.
Votimi i akteve nënligjore shënoi dhe fundin e konsensusit. Demokrati Eduard Halimi renditi 3 kushte të opozitës, pa plotësimin e të cilave ata nuk mund të qëndronin në seancë. Sipas Halimit, nuk mund të ketë Parlament normal pa pezulluar me ligj Armando Prengën, pa marrë zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e mandateve të deputetëve, si edhe për të mos penguar 2 komisionet hetimore të ngritura me kërkesa të opozitës. “Pa u bërë dhe pa u plotësuar këto kushte opozita nuk mund të vazhdojë të rrijë më në këtë Parlament”, tha ai.
Vendimi
Negociatat e gjata mes mazhorancës dhe opozitës bënë të mundur të miratimin e vendimit, i cili detyron Presidentin e Republikës, kryeministrin, ministrat, deputetet, kryetarët e bashkive dhe çdo funksionar tjetër të lartë që brenda 2 muajve të plotësojë formularin e vetëdeklarimit. Çdo zyrtar duhet të plotësojë formularin duke informuar mbi gjeneralitetet; ndryshimin apo përdorimin e një gjeneraliteti të ndryshëm nga ai aktual; vendbanimin apo vendqëndrimin brenda dhe jashtë Shqipërisë; rastet e ndalimit, arrestimit apo dënimit me vendim të formës së prerë apo jo, brenda dhe jashtë Shqipërisë; rastet e dëbimit nga një shtet i huaj si edhe rastet e aplikimit ndaj tij të masave të sigurimit personal, në fuqi ose jo, apo dijenisë mbi ekzistencën e një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga tij, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Deklarimi i i rremë konsiderohet vepër penale dhe dënohet me burg. Ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm duhet të krijojë një strukturë të re pranë institucionit që drejton për të vënë në zbatim ligjin e dekriminalizimit. Në rastet kur ka indicie ky organi ku dorëzohet formulari i vetëdeklarimit, i kërkon prokurorisë që brenda 5 ditëve të bëjë verifikimin e plotë të personit. Në rastet kur në fund të verifikimit deklarimit e kërkuesit dalin të pavërteta ai gjobitet me 100 000 lekë.
Mandatet, Berisha: Të gjitha opsionet e hapura
Opozita kushtëzon praninë e saj në punimet parlamentare, ndërsa akuzon mazhorancën për vonesat në miratimin e akteve nënligjore për dekriminalizimin. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pas votimit në kuvend se tashmë ajo që kërkon opozita është dekusarizimi, ndërsa e la sërish të hapur opsionin e lënies së mandatit. “Axhenda jonë është dekusarizimi, një axhendë e cila është në interesin jetik të çdo foshnje, të çdo nëne, të çdo prindi, të çdo fëmijë, të çdo të moshuari. Janë kusarët këtu në parlament që po thithin si shushunja gjakun e të varfërve shqiptarë, duke përdorur imunitetin e Parlamentit”, tha ai. Këtë largim të opozitës, Berisha e quajti më shumë se bojkot. “Mos e quani bojkot, por quajeni më shumë se bojkot pasi të gjitha opsionet janë të hapura, sepse këtu këto ditë ka ndodhur zhvillimi më dramatik në këtë Parlament. Edi Rama thirri vrasësin për të sfiduar opozitën”, deklaroi ai lidhur me rikthimin e Armando Prengës në Kuvend. I pyetur nëse mbetet si zgjidhje lënia e mandateve, Berisha tha se: “Është i hapur dezintegrimi Parlamentit”.
Vetëdeklarimi i funksionarëve aktualë
1. Funksionarët publikë që janë subjekt i neneve 2 dhe 3 të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, që janë aktualisht në detyrë, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, janë të detyruar të depozitojnë Formularin e Vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës të përcaktuar në Kreun II të këtij vendimi.
2. Organet përgjegjëse brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit sipas pikës 1 të këtij Kreu, bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar Formularët e Vetëdeklarimit pranë tyre. Si rregull, në cdo rast organi përgjegjës për administrimin merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet. Publikimi është i detyrueshëm nëse kërkohet nga një subjekt i interesuar.
Afatet për vetëdeklarimin
1. Secili prej organeve përgjegjëse për administrimin e formularit të vetëdeklarimit, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi:
a) krijon një strukturë të posaçme ose cakton personat përgjegjës për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit;
b) krijon regjistrin për regjistrimin e Formularëve të Vetëdeklarimit dhe merr masa për të siguruar ruajtjen dhe dokumentimin e tij në rrugë elektronike.
c) merr masa për të siguruar publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet.
2. Prokurori i Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi:
a) krijon një strukturë të posaçme pranë Prokurorisë së Përgjithshme për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe në këtë vendim.
b) krijon regjistrin për regjistrimin e kërkesave për verifikim.
c) merr masa për të siguruar ruajtjen dhe dokumentimin edhe në një sistem elektronik të: (i) kërkesave për verifikim; (ii) cdo të dhënë, akt, apo fakt të administruar gjatë procedurës së verifikimit; si dhe (iii) rezultateve të verifikimit dhe të dhënave të grumbulluara.
3. Këshilli i Ministrave i siguron Prokurorisë së Përgjithshme buxhetin e nevojshëm për të mbuluar çdo shpenzim financiar të nevojshëm për përmbushjen e përgjegjësive sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe këtij vendimi./shekulli/
Etiketa: Kuvendi i Shqipërisë, Shqipëri