Kukan: Rrezik nga izolimi i Kosovës


E martë, 11 Gusht 2015

Eurodeputeti, Eduard Kukan thotë se ekziston rrezik i madh nga izolimi i kosovarëve, si pasojë e mungesës së liberalizimit të vizave me BE-në.

Ai shprehet i shqetësuar që procesi i liberalizimit të vizave ka marrë shumë kohë për Kosovën.

Trajtimi me standarde të dyfishta për popullin e Kosovës, apo izolimi i kosovarëve nga mungesa e liberalizimit të vizave, nuk është rruga e duhur për ta sjellë vendin më afër Bashkimit Evropian (BE).

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” eurodeputeti sllovak, Eduard Kukan, shtet ky që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kukan, i cili ka qenë edhe ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, thotë se e kupton frustrimin e kosovarëve, të cilët përballen me regjimin e vizave të BE-së dhe, siç thotë ai, ekziston rrezik nga ky izolim.

“Jam i shqetësuar që procesi i liberalizimit ka marrë kaq shumë kohë për Kosovën”, shprehet politikani sllovak, duke shtuar se megjithatë Kosova duhet të vazhdojë të bëjë detyrat e saj karshi integrimit. /Zëri/