Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kuqi: Sot s’është temë kufiri me Malin e Zi, po muri në Mitrovicë!

Prizren Post | 21:11 - 07.12.2016

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ata që trumbetonin dhe “gati e dogjën Kosovën se po humbim mbi tetëmijë hektarë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi”, sot po dalin kundër matjes së territorit, sepse sipas tyre Kosova nuk ka kufij.

“Qytetarë të nderuar, ata që trumbetonin dhe gati e dogjën Kosovën se po humbim mbi tetëmijë hektarë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sot po dalin kundër matjes së territorit, sepse sipas tyre Kosova nuk ka kufij. Shtrohet pyetja se si e matën ata Kosovën (pa kufij) për të akuzuar se po humb territor, nëse kjo matje nuk qenka e mundur të bëhet. Kosova i ka kufijtë e trashëguar, prandaj të ashtuquajturit ekspertë të gënjeshtrave dhe zëdhënës të kauzës së rrejshme politike janë sfiduar dhe kanë ardhur ngushtë me iniciativën për matjen e territorit të Kosovës. Këta po ia bëjnë një dëm të madh sovranitetit shtetëror të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar Blerim Kuqi, sekretar i AAK-së

“Marrëveshja e juaj për Demarkacionin e ka dështuar Demarkacionin me Malin e Zi, dhe faji është i juaj dhe vetëm i juaj. Përpjekja e juaj që ta hidhni fajin dikund tjetër e të mos e pranoni dështimin në këtë temë, flet për dështimin dhe paranojën tuaj e jo për qëndrimin parimor e krejt pa interes të Opozitës, e cilia sipas jush paska dashur ta kallë Kosovën. Kjo temë kërkon qasje serioze e shtetërore, e cila po më duket është e pamundur që të bëhët, derisa ju të jeni kryeministër. Sot nuk është temë kufiri me Malin e Zi, pavarësisht përpjekjes suaj për ta rikthyer në orbitë, të cilin nuk e kanë votuar as deputetë të partisë suaj e lere më të tjerët, por një kufi tjetër, i cili po vendoset me mur në Mitrovicë. Nëse je Kryeministër merru me këtë temë dhe shembe atë mur, ose shko në shpi. Ne nuk e kemi ndërmend të heqim dorë kurrë nga asnjë milimetër e territorit të Kosovës, pavarësisht paranojës suaj të dështimit”, thuhet në reagimin e Kuqit.


Arivisti Company