Kurti s’i do gypat e gazit amerikan deri në Kosovë: Të marrim rrymë nga terminali i LNG në Vlorë, jemi për gazifikim të linjitit


E martë, 9 Qershor 2026
Kurti s’i do gypat e gazit amerikan deri në Kosovë: Të marrim rrymë nga terminali i LNG në Vlorë, jemi për gazifikim të linjitit

Pak kohë pas thirrjes së të ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, që Kosova t’i bashkohet gazsjellësit amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kosovës, një natë para zgjedhjeve, ka folur në detaje për qëndrimin e tij sa i përket kësaj teme.

Kurti ka lënë të kuptohet se nuk dëshiron që gypat e gazit amerikan të vijnë deri në Kosovë, por që Kosova të kyçet në terminalin e gazit i cili  në Vlorë dhe të marrë nga aty energji elektrike përmes interkoneksionit 400 kilovoltsh që Kosova lidhet me Shqipërinë.

“Ke parasysh që kemi bashkëpunim me Shqipërinë, me ALPEX, ne dëshirojmë të jemi të integruar në Republikën e Shqipërisë. Vizioni ynë është që ne të bëhemi bashkë me Shqipërinë në terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë. Kosova ka gatishmëri të investojë në terminalin në Vlorë dhe paramendoni një situatë ku ne mund të kishim përqindje të aksioneve në terminalin e Vlorës dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksion prej 400 kilovoltësh e sjellim tek ne. S’kemi nevojë ta sjellim në Kosovë, por nga Vlora e marim. Vlora mund të jetë vendi ku Shqipëria e Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm që importohet nga jashtë”, ka thënë Kurti në intervistën e datës 6 qershor në RTK.

Kreu i VV’së ka thënë se më shumë preferon që qymyrin e Kosovës ta shndërrojnë në gaz sesa që Kosova të blejë gaz. Kurti ka thënë se Kosova është e interesuar për kompanitë amerikane të cilat mund ta bëjnë gazifikimin e linjitit që Kosova ka me shumicë.

“Ne jemi shumë të interesuar për ekspertizën amerikane dhe për korporatat amerikane për gazifikimin e linjitit meqenëse ne i kemi burimet tona. Dhe mendoj se kjo nuk është në shpërputhje me politikën aktuale të administratës amerikane, e cila nuk ka një distancë për përdorimin e  qymyrit siç e kishte administrata paraprake”, kishte shtuar Kurti.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti në vitin 2021 kishte vendosur që përfudimisht të mos e përzgjidhte projektin e gazsjellësit amerikan që financohej nga MCC-ja.

Vendimin e kishte konfirmuar atë kohë ministrja Artane Rizvanolli.

“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, kishte deklaruar Rizvanolli në vitin 2021.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit