Kurti takon kancelarin austriak në Vjenë, kërkon mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës


E martë, 9 Qershor 2026
Kurti takon kancelarin austriak në Vjenë, kërkon mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim bilateral nga kancelari i Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vjenë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet ’90-ta, në procesin e shtetndërtimit, në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe për kontributin në kuadër të KFOR-it.

“Teksa vlerësoi mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës të shprehur në Komitetin e Ministrave, në Kishinau në maj të vitit 2026, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se një nga prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.

Kurti nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes nga Austria dhe rolit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Po ashtu, ai tha se mirëpret deklaratën e kancelarit Stocker se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor”.

“Pasi tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj të anëtarësimit, kryeministri në detyrë Kurti foli për rëndësinë që BE-ja të përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë takimit, Kurti dhe Stocker diskutuan edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik e tregtar, investimet, roli i mërgatës, energjia dhe transformimi digjital.

Në takim u bisedua gjithashtu për sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin rajonal.

Në fund, Kurti uroi Austrinë për zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2028, ndërsa pranoi urime për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit