Ky kryeqytet ballkanik po eksperimenton me taksitë-robot


E diel, 24 Maj 2026
Ky kryeqytet ballkanik po eksperimenton me taksitë-robot

Zagrebi hyn në garën europiane të teknologjisë autonome

Zagrebi, kryeqyteti i Kroacisë, është bërë një nga qytetet e para europiane që po teston një shërbim robotaksi, automjete që lëvizin pa shofer duke përdorur inteligjencë artificiale dhe sensorë të avancuar.

Projekti drejtohet nga kompania Verne, në pronësi të sipërmarrësit kroat Mate Rimac, i njohur shpesh në media si “Elon Musk-u kroat”. Për momentin shërbimi është ende në fazë eksperimentale.

Vetëm rreth 400 persona të regjistruar paraprakisht mund t’i përdorin automjetet, ndërsa ekziston edhe një listë pritjeje për përdorues të rinj. Aktualisht në rrugët e Zagrebit qarkullojnë vetëm 10 automjete robotaksi.

Megjithëse automjetet lëvizin kryesisht në mënyrë autonome, në secilën prej tyre ndodhet ende një operator njerëzor në vendin e shoferit. Sipas kompanisë, ai nuk ndërhyn në drejtim, por është aty vetëm për raste emergjente.

Arsyeja kryesore është se legjislacioni kroat nuk e lejon ende qarkullimin e automjeteve plotësisht pa shofer. Qeveria kroate po punon për ndryshime ligjore që pritet të miratohen gjatë këtij viti.

Fakti që Kroacia po eksperimenton me këtë teknologji ka tërhequr vëmendje në Evropë. Vendi nuk konsiderohet zakonisht si një qendër e madhe inovacioni teknologjik, sidomos krahasuar me Gjermaninë ose Francën.

Për këtë arsye, projekti shihet si një përpjekje ambicioze për ta vendosur Zagrebin në hartën evropiane të teknologjisë autonome. Shërbimi funksionon përmes një aplikacioni ku përdoruesi zgjedh destinacionin.

Për momentin automjetet mund të ndalojnë vetëm në rreth 500 pika të përcaktuara në qendër të qytetit dhe në disa lagje të tjera. Ato mbulojnë gjithashtu itinerarin drejt aeroportit të Zagrebit.

Çmimi i çdo udhëtimi është vetëm 1.99 euro, një tarifë shumë e ulët që kompania e ka vendosur për arsye promocionale. Megjithatë, projekti ka marrë edhe kritika.

Disa përdorues në Reddit dhe rrjete të tjera sociale e kanë akuzuar Verne se po e përdor shërbimin më shumë si reklamë sesa si një sistem real transporti publik.

Kufizimet aktuale dhe numri i vogël i automjeteve kanë bërë që shumë njerëz ta konsiderojnë projektin ende larg përdorimit masiv. Në qendër të vëmendjes, Mate Rimac, një nga sipërmarrësit më të famshëm të Ballkanit.

Ai u bë i njohur me kompaninë “Rimac Automobili”, e specializuar në prodhimin e makinave elektrike sportive luksoze. Rimac ka ndërtuar imazhin e një sipërmarrësi vizionar që nisi nga një garazh i vogël dhe arriti sukses ndërkombëtar.

Megjithatë, figura e tij mbetet kontroverse. Kritikët thonë se marrëdhëniet e afërta me partinë konservatore HDZ dhe me qeverinë kroate kanë ndihmuar shumë në suksesin e kompanive të tij.

Mediat kroate kanë raportuar shpesh edhe për problemet financiare dhe borxhet e bizneseve të Rimac.

Pavarësisht kritikave, projekti i robotaksive ka marrë mbështetje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Europian. Komisioni Europian i ka akorduar kompanisë rreth 179.5 milionë euro për zhvillimin e teknologjisë autonome.

Nëse eksperimenti në Zagreb rezulton i suksesshëm, ai mund të hapë rrugën për përdorimin më të gjerë të robotaksive në Europë. Por mbeten ende shumë sfida: siguria rrugore, rregullimi ligjor dhe pranimi nga publiku.

Për momentin, Zagrebi po shërben si një laborator urban për të testuar se si mund të duket transporti i së ardhmes. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit