E hënë, 22 Maj 2017
Ndonëse ka përfunduar afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, disa prej partive politike në Kosovë ende nuk i kanë publikuar ato.
Përderisa tri partitë të cilat ishin opozitë në legjislaturën e fundit, VV-ja, AAK-ja e “Nisma”, kanë dalë me listat e tyre, PDK-ja e LDK-ja ende nuk i kanë zyrtarizuar për opinionin publik kandidatët për deputetë. Përfaqësues të këtyre dy subjekteve thonë se listat do të dalin tek pas verifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mirëpo, analistët politikë konsiderojnë se listat nuk janë publikuar ende, meqë, sipas tyre, ka shumë pakënaqësi mes individëve brenda partive të cilët kanë mbetur jashtë atyre listave.
Nga ana tjetër, listat e thuajse të gjitha partive tashmë kanë të përfshirë persona me aktakuza, për të cilët SHBA-ja disa herë pati kërkuar largimin e tyre. E përderisa analistët konsiderojnë se përfshirja e tyre përbën një lajm aspak të mirë për Kosovën, ekspertët e çështjeve juridike thonë se asnjë person nuk mund të konsiderohet fajtor para se të përfundojnë të gjitha procedurat. /Zeri/
Etiketa: Aktuale