Logjika e mbrapshtë e homoseksualistëve


E shtunë, 17 Maj 2014
Brenton KOTORRI

Brentom KOTORRI

Në shkencat sociale, një fenomeni X i shtohet prapashtesa -ist, për të treguar anën politike të tij dhe për rrjedhojë i shtohet epitetit të një individi, i cili dëshiron ta promovojë fenomenin politik. Për shembull: liberal –liberalist, postmodern – postmodernist, paqe – pacifist, etj. Kështu, edhe në rastin e homoseksualëve, duhet të ndajmë fenomenin e homoseksualitetit, nga fenomeni i homoseksualizmit. Kjo, pasi homoseksualistët, janë mbështetësit e homoseksualitetit dhe ata që kërkojnë ta promovojnë, ndërsa homoseksuali është ai që jodomosdoshmërisht dëshiron ta bëjë çështje të politikës këtë karakteristikë të vetën. Teksa kaloja një ditë në një kryqëzim të “Bllokut”, qendrës dinamike të Tiranës, më ndali një pemë e cila më foli shumë fuqishëm. Në pemë ishte ngulur një tabak që thoshte: “Homofobia është sëmundje!”. U trondita! Ajo ishte pastërtisht një punë e homoseksualistëve, dhe jo domosdoshmërisht e homoseksualëve. Pak ditë më pare kisha lexuar se ata duan ta bëjnë sërish një paradë “gay”…..

….Mirëpo për fatkeqësinë e homoseksualistëve, ka edhe njerëz që lexojnë në këtë botë dhe kujtdo që do të ishte aty, do t’i ishte kujtuar “1984-a” e Xhorxh Oruellit. Në këtë roman-traktat, përshkruhet një diktaturë e shkallës më të egër, e cila përdorte 3 slogane kryesore: “Lufta është paqe”; “Liria është skllavëri”; “Injoranca është forcë”. Në rrëfimin e këtij romani, këto slogane ku qartazi duket jo vetëm artificialiteti i barazimit, por mbi të gjitha absurditeti logjik, përdoreshin si teknika për shpëlarjen e trurit. Literatura politike na mëson se rregulli numër një i diktaturave është ribërja e logjikës. Atë që komunizmi e quante “njeriun e ri socialist”, pra një individ, i cili i mposht instinktet natyrore dhe arsyen e vet, dhe verbërisht i beson vetëm sloganeve të partisë….

Praktikisht “Homofobia është sëmundje”, implikon se homoseksualizmi është shëndet shoqëror. Kështu në të pavetëdijshmen tonë, të publikut, na nxitet ideja se homoseksualizmi është, jo vetëm diçka normale, por madje edhe e shëndetshme. Lë të marrim sa për ilustrim gjithë doktrinën filozofike të Niçes. Te “Shndërrimi i të gjitha vlerave”, ai thotë se Sokrati ishte krimineli i parë i njerëzimit, sepse i mësoi njerëzve silogjizmin, pra mjetin kryesor të arsyetimit përmes deduksionit. Ajo që Niçja predikonte ishte njeriu irracional, ai që bën ç’të dojë dhe nuk mendon për pasojat. Ky, thoshte Niçja, ishte niveli më i lartë i njeriut apo ndryshe, mbinjeriut. Mbinjeriu ishte pra individi i cili maksimizon pafundësisht lirinë e vet, duke as mos i çuar ndërmend pasojat e veprimeve të veta, dhe për rrjedhojë, duke e eliminuar plotësisht konceptin e përgjegjësisë. Kjo do të thotë se për homoseksualistin, ne jemi njerëzit e dobët që mbahemi në pranga nga iluzione të tilla si Zoti, ndërgjegjja, komuniteti, solidariteti, familja, përgjegjshmëria, kujdesi, altruizmi etj. Dhe që të dalim nga ky batak dobësie, duhet të ndjekim predikimin e homoseksualistit, pra të maksimizojmë lirinë duke shkatërruar çdo koncept që kemi trashëguar nga njerëzimi i mëparshëm….

Shumë njerëz, me të drejtë, vendosin t’i tolerojnë ose neglizhojnë homoseksualistët. Vendosin që t’i lejojnë ata të bëjnë jetën e tyre ashtu siç e duan. Një parim shoqëror shume i drejtë në demokraci. Nga ana tjetër, homoseksualistët nuk e respektojnë këtë pakt. Atyre nuk u intereson që të jenë të neglizhuar, sepse kjo nuk i kënaq, ata duan që të jenë të fokusuar, dhe për rrjedhojë të kenë vëmendje. Slogani “Homofobia është sëmundje” në mes të qytetit, tregon se ata kanë një axhendë. (kjo axhendë njihet botërisht si “The LGBT Agenda” ). Axhenda e tyre, kërkon që me çdo kusht publiku t’i japë vëmendje homoseksualistëve, në mënyrë që ata të faktorizohen, dhe të infiltrohen si një pjesë normale e shoqërisë. Në këtë rast justifikimi i homoseksualistëve është se njeriu, duhet ta shfaqë gjithçka që ndjen. Duhet të tregojë të gjitha dëshirat e veta, duhet të jetë vetvetja dhe duhet nga ana tjetër që bota ta pranojë ashtu siç ai shfaqet. Homoseksualisti harron se njeriu, ka përjetueshmëri, ndjenja personale, ndërgjegje, mendime, reflektime, arsyetime dhe mbi të gjitha intimitet me qenien e vet. Ai harron se njeriu e ka të panatyrshme të thotë 100% të gjërave që i kalojnë nëpër kokë. Për homoseksualistin, fakti që njeriu ruan intimitetin, është diçka e tmerrshme, sepse kjo mund të jetë e natyrshme, por minimizon lirinë dhe ndrydh ndjenjat. Predikimi i homoseksualistit, po ta shikojmë me vëmendje, ka për synim që njeriu të shkojë drejt sendëzimit, pra njeriu të bëhet send, objekt, si tavolina, apo jastëku, apo rrobat. Tavolina nuk ka intimitet, nuk ka përjetueshmëri, sepse sendi e shfaq jashtë gjithçka që është. Nëse ne do ta shfaqnim qenien tonë të brendshme dhe intime, atëherë nuk do të ishim gjë tjetër veçse sende. Njerëz që nuk arsyetojnë më, sepse arsyetimi është i të gjithëve, nuk kanë më ndjenja ekskluzive, sepse ato i përkasin të gjithëve sapo ne i shfaqim; do të ishim jo më qenie shoqërore, por qenie të përbashkëta.

Për homoseksualistin, idhulli i vetëm gjysmë-hyjnor është Dionisi i mitologjisë greke. Dionisi ishte perëndia i qejfit dhe i shthurjes. Dionisi ishte individi që vepronte në përputhje të plotë vetëm me dëshirën e vet. Nën fasadën e emancipimit, axhenda LGBT na sugjeron të shkojmë drejt perëndimit, duke abuzuar kështu me termin, dhe duke na nxitur të besojmë se perëndimi është toka e desiderizmit, toka ku njeriu ndjek dëshirat e veta, sido qofshin ato.

Epoka tradicionale, e krijoi Europën si qytetërimin që jetonte me sistemin e gjykimit “Ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar” dhe ky qytetërim pas iluminizmit, përqafoi një sistem të ri gjykimi, utilitarizmin: “Ç’është e leverdishme dhe ç’është e paleverdishme. Që me revolucionin seksual të viteve 1960, desideristët na kanë çuar drejt një epoke të re: “Ç’më pëlqen dhe ç’nuk më pëlqen”. Ky sistem i fundit referimi, e eliminon fare edhe logjikën e të gjykuarit, pasi fut në lojë sloganin “Shija është subjektive dhe për rrjedhojë askush nuk duhet të gjykojë askënd kur gjithkush bën ç’t’i pëlqejë.” Kjo shoqëri, ku nuk do të kishte as turp, as përgjegjshmëri, as ndërgjegje, as racionalitet, dhe as ndjenja intime, është edhe ëndrra e homoseksualistit. Duke kërkuar që të ndjekë asgjë tjetër veçse dëshirat e veta me ç’do kusht, homoseksualisti i kërkon shoqërisë tolerancë dhe pranim. Kur shoqëria nuk ia jep këtë, atëherë ai e shndërron veten në viktimë. Viktimizohet, jo me logjikën se shoqëria nuk po i jep drejtësi, apo atë që i takon, por me logjikën se shoqëria nuk po e lejon të bëjë ç’të dojë.

Në ligjërimin e axhendës LGBT, që kemi dëgjuar edhe në Shqipëri, mund të dallohen 3 slogane kryesore: 1- Ne duam të jetojmë në një botë ku të gjithë jetojnë të lumtur. 2- Ne duam të jetojmë në një botë ku askush nuk diferencohet dhe gjykohet. 3- Ne duam të jetojmë në një botë ku të gjithë të jenë të barabartë. Duke qenë se Nënë Tereza është edhe krenaria e Shqipërisë në botë, ne të gjithë kemi lexuar prej thënieve të saja që bëjnë thirrje për paqen në botë. Nënë Tereza ishte në koherencë të plotë me 3 sloganet e sapopërmendura. Edhe ajo e donte botën me njerëz të lumtur që jetojnë bashkë dhe madje ajo (prandaj edhe është aq e madhe) e jetonte fjalën. Ky kurth i ligjërimit homoseksualist, na bën që në mënyrë të pavetëdijshme, tek ne, turma, publiku, të asociohen mesazhet e tyre, me ato të tipit të Nënë Terezës. Kështu për një moment mund të bëhemi naivë e të themi se në fund të fundit asgjë të keqe nuk ka. Mirëpo kleçka qëndron tek premisa, tek gjeneza dhe origjina e kësaj mirësie të shprehur me anë të ligjërimit. Ata duan të na e bëjnë Nënë Terezën homoseksualiste kur ndërkohë ajo nisej nga një premisë krejt tjetër. Për Nënë Terezën, njerëzimi duhet të jetonte i lumtur, sepse në drejtësinë e Zotit të gjithë janë të barabartë dhe të lumtur dhe secili zë vendin që i takon, kështu harmonia mbërrin perfeksionin. Premisa e homoseksualistëve niset nga besimi se të gjithë duhet të jetojnë të lumtur duke ndjekur jo dëshirën e Zotit, por dëshirën e vetvetes, pra për ta Zoti i ri, është vetvetja e tyre. Unë shpresoj që vërtetë të ndërgjegjësohemi mjaftueshëm se slogani “HOMOFOBIA ËSHTË SEMUNDJE SHOQËRORE” ka pasoja të tmerrshme ndaj të gjithëve ne, reagojmë ose tolerojmë, sidoqoftë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.