E premte, 12 Shtator 2014
1.
Arrestimi i hoxhë Shefqet Krasniqit që policia kosovare bëri në datë 4 shtator 2014 pati jehonë në të gjithë mediat dhe forumet sociale shqiptare në internet. Anti-muslimanët që nga mercenarët e Veton Surroit – Halil Matoshi e Enver Robelli – e deri te femra që mafiozi Dritan Hoxha çoi në Kosovë, Alma Lama, e mirëpritën arrestimin e hoxhës më të famshëm të Islamit në Ballkan. Ata përgëzuan policinë e Kosovës për kryqëzatën e saj kundër hoxhë Shefqetit dhe i kërkuan prokurorisë kosovare që të arrestojë edhe më shumë muslimanë. Në media doli edhe ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi i cili – ashtu siç edhe pritej – tregoi gadishmërinë e regjimit të Hashim Thaçit për ti persekutuar besimtarët muslimanë të Kosovës deri në besimtarin e fundit.
2.
Arrestimi i hoxhë Shefqet Krasniqit, ishte pjesë e fazës së dytë të arrestimeve masive që qeveria kosovare nisi që në 11 gusht 2014 kur u arrestuan rreth 40 besimtarë muslimanë me pretekstin se kanë marrë pjesë në luftë në Siri. Arrestimet që ndodhën në mes të gushtit 2014 në Kosovë u urdhëruan nga komandanti suprem i NATO-s, Filip Breedlove i cili vizitoi Prishtinën në 30 korrik 2014. Gjatë vizitës së tij, Breedlove-i urdhëroi udhëheqjen kuislinge kosovare që të “këpusë” xhihadistët që deri në vitin 2013 i kishin shërbyer NATO-s si këmbësori për të djegur vendet arabe.
3.
Arrestimet që po ndodhin në ditët tona në Kosovë dhe sulmet që mediat kosovare po bëjnë në formë të organizuar kundër Islamit kanë lidhje me strategjinë e re që NATO ka nisur të adaptojë në Ballkan dhe Lindjen e Mesme pas përfundimit të Pranverës Arabe.
Gjatë Pranverës Arabe amerikanët bënë aleancë me al-Kaedën. Ata i përdorën xhihadistët injorantë muslimanë të cilët i mblodhën nga e gjithë bota për të rrëzuar liderët arabë të Libisë dhe djegur Sirinë. Por tani që Pranvera Arabe mori fund, amerikanët po i trajtojnë xhihadistët ndërkombëtarë ashtu siç i përdorën edhe xhihadistët e Afganistanit, të cilët i vranë, burgosën dhe zhdukën në masë, pasi të fundit çliruan Afganistanin nga sovjetët për hise të NATO-s dekada më parë.
4.
Gjatë Pranverës Arabe, amerikanët përdorën edhe disa mijëra muslimanë evropjanë për të bërë “xhihad” kundër udhëheqësve anti-amerikanë të botës arabe. Tufa muslimanësh injorantë të cilët besonin se më në fund Perëndimi u bë i mirë dhe do i çlironte nga diktaturat vërshuan drejt Lindjes së Mesme, ku vranë, prenë e dogjën vendet arabe që nga Libia e deri në Siri.
Në mesin e evropjanëve që u viktimizuan nga Perëndimi për t’u bërë xhihadistë në Siri ishin edhe disa mijëra shqiptarë, të cilët në vitet 2011 – 2013 u indoktrinuan nga propaganda që satelitët e Amerikës, Katari, Arabia Saudite, Turqia etj bën kundër regjimeve arabe dhe në veçanti Sirisë. Disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, që u indoktrinuan nga hoxhallarët vehabistë dhe nga qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës përfunduan si xhihadistë në Siri dhe Irak. Deri në fund të vitit 2013 xhamitë e Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës zjenin nga lutjet që hoxhallarët dhe besimtarët vehabistë bënin në grup kundër “shiitëve dhe alevitëve të flliqt”, ndërsa shpresonin në fitoren e muxhahidinëve.
5.
Faj për përfundimin e besimtarëve shqiptar si xhihadistë në Siri nuk kanë vetëm hoxhallarët, por në radhë të parë qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës. Amerikanët e përdorën në veçanti republikën kukull të Kosovës si bazë trajnimi dhe rekrutimi të xhihadistëve sirianë. Mbështetja që Prishtina zyrtare i dha xhihadit sirian u botua edhe në mediat ndërkombëtare, kur në prill 2012 qeveria e Hashim Thaçit dhe Enver Hoxhajt priti në kryeqytetin kosovar krerët e xhihadistëve sirianë, të udhëhequr nga Ammar Abdulhamid, të cilëve i’u premtuan baza për trajnimin e xhihadistëve, armë dhe mbështetje logjistike.
6.
Por kur në gusht 2013 rusët kërcënuan Amerikën që të mos ndërhyjë ushtarakisht në Siri dhe rrëzuan raketat tomahok që amerikanët gjuajtën kundër Damaskut, e në 11 shtator Vladimir Putini kërcënoi Amerikën me luftë botërore në editorialin që botoi në Nju Jork Times, lufta kundër Sirisë erdhi drejt fundit. Administrata amerikane pranoi që të ndalojë xhihadin kundër Republikës Arabe të Sirisë me kusht që Siria të ç’armatosej nga armët kimike – që bënin rrezik për sigurinë e Izraelit. Që nga ky moment, administrata amerikane dhe qeveritë satelite të saj nisën të persekutojnë, arrestojnë dhe problematizojnë vullnetarët xhihadistë që ata vetë çuan në Siri.
Kjo gjë ndodhi edhe në Kosovë, ku arrestimet e para të xhihadistëve kosovarë u bënë në nëntor 2013. Ndalimi i Valon Sh., Musli H., Ardian M., Nuredin S. dhe Genc S. i kapi muslimanët e Kosovës por edhe Shqipërisë gafilë. Deri në këto momente ata ishin përkrahur dhe nxitur që të luftonin në Siri kundër “diktatorit Asad” dhe “shiitëve të flliqur” (siç propagandonin hoxhallarët vehabistë nëpër xhami) nga vetë amerikanët dhe qeveritë e tyre. Megjithatë, nga ky moment e tutje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, qeveritë kukulla shqiptare u lëshuan në orgji arrestimesh ndaj hoxhallarëve dhe besimtarëve.
7.
Megjithatë, arrestimet e hoxhallarëve dhe besimtarëve që u bënë xhihadistë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri nuk ishin të drejta, dhe ashtu si në konfliktet e tjetra botërore e vendore u përdorën në mënyrë selektive nga pushtetarët lokalë. Kështu psh. ndërsa në Shqipëri qeveria Rama arrestoi hoxhë Abdurrahim Ballën dhe besimtarët e tij si xhihadistë, Ilir Hoxhollin – djalin e tezes së Ledia Shamku Shkrelit dhe Artan Shkrelit – që sëbashku me Aliaa Nohën dhe hoxhë Ahmet Kalanë – drejtonin protestat kundër qeverisë siriane në Tiranë – qeveria Rama jo vetëm që nuk i arrestoi, por në fakt Ilir Hoxholli u shpërblye duke e bërë kryetar të Komitetit të Kulteve për qeverinë e Rilindjes.
Edhe në Kosovë, lufta kundër Sirisë u përdor në mënyrë tinzare nga qeveria kosovare dhe grupi i oligarkut Veton Surroi për të sulmuar disa besimtarë dhe favorizuar disa të tjerë. Gazetarët mercenarë sikur Enver Robelli e Halil Matoshi apo rrugaçi Visar Duriqi që është punësuar nga gazeta ekstremiste Express po e përdorin “konfliktin sirian” për arsye personale. Ata janë vënë në shërbim të grupit rebel brenda Bashkësisë Islame të Kosovës që drejtohet nga zari i Veton Surroi, Xhabir Hamiti për të sulmuar dhe shkatërruar imazhin e xhamisë së Islamit në Kosovë.
8.
Konflikti ndërmjet Xhabir Hamitit dhe Naim Tërnavës për të drejtuar Bashkësinë Islame të Kosovës është i vjetër. Ai i ka rrënjët që në kohën e Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit kur Rexhep Boja u kritikua nga Meshihati Islam i Sarajevës për pazotësi, e më pas ky e ndau Bashkësinë Islame të Prishinës (ndoshta me urdhër nga Serbia) nga Sarajeva. Rexhep Boja që u kthye në një sulltan të Islamit në Kosovë kërkoi që pas ndarjes së saj nga Jugosllavia, BIK-në ta ketë pronë private nën urdhërat e sejmenit të tij, Xhabir Hamiti. Por zgjedhjet që ndodhën në BIK dhe ardhja në krye të saj e Naim Tërnavës pas luftës i prishën planet e Bojës dhe Hamitit për udhëheqjen e BIK-së. Tërnava që drejton BIK-në prej 3 mandatesh ka arritur që jo vetëm të ringjallë Islamin në Kosovën e pasluftës, rindërtoj xhamitë e shkatërruara nga lufta, por në të njëjtën kohë të manaxhojë mirë hoxhallarët kosovar.
9.
Mbjellja e vehabizmit që ndodhi në Kosovën e pas luftës e detyroi myftiun Naim Tërnava që në një mënyrë apo në një tjetër të akomodojë edhe vehabistët brenda Bashkësisë Islame. Për sa kohë që ata islamizonin kosovarët e paditur, ndërtonin xhami, ndihmonin fukarejtë dhe i sillnin Kosovës së varfër para për të ringjallur Islamin, pse të mos i mbështeste Tërnava ata? Edhe Rexhep Boja kishte bashkëpunuar me vehabistët para tij dhe gjatë qëndrimit të tij si ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite, Boja ka përfituar nga paratë saudite.
Megjithatë, në Kosovë vehabizimi i shumë xhemateve ka shkaktuar edhe konflikte në nivel lokal. Me radikalizmin e tyre, vehabistët i shohin si të pafe muslimanët që nuk i binden “priftërijve” që drejtojnë fenë në Arabinë Saudite dhe regjimit saudit. Vehabistët janë intolerantë ndaj sufijve, hanefijve, shiitëve, dhe grupeve të tjera të Islamit. Ata kanë lënduar e ofenduar shumë hoxhallarë e besimtarë, hanefij e sufij që i përkasin shkollës së Islamit osman duke i sulmuar dhe etiketuar me lloj lloj akuzash.
10.
Xhabir Hamiti të cilin Rexhep Boja kërkoi ta linte si zëvendësin e tij në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, meqë demokratikisht nuk ka mundur ta mundi dot Naim Tërnavën, ka përdorur dy forma tinzare në luftën e tij kundër Bashkësisë Islame të Kosovës. Në njërën anë ai ka ndërtuar aleancë me ambasadat perëndimore dhe oligarkun Veton Surroi, të cilët i përdor kundër Bashkësisë Islame, dhe në anën tjetër ka rreshtuar përreth vetes disa hoxhallarë hanefij – maturidij të cilët kanë inate personale me vehabijtë dhe janë të pakënaqur për influencën e tyre në BIK.
11.
Sulmet që mediat e Surroit apo mercenari Visar Duriqi nga gazeta Express bëjnë pothuajse përditë kundër Islamit në Kosovë, dhe mbështetja që këto media marrin nga ambasada amerikane në Prishtinë kanë krijuar një situatë terrori të vërtetë në mendjen e muslimanëve kosovarë. Islami në median kosovare është barazuar me terrorizmin dhe xhihadin. Mercenarët xhihadistë që KANË PUNUAR për NATO-n dhe janë çuar nga amerikanët në Irak, sikur Lavdrim Muhaxheri akuzohen sikur janë krijuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Naim Tërnava.
Islamofobët dhe shpifografët kosovarë sikur Visar Duriqi, Halil Matoshi, Enver Robelli, Arbana Xharra etj, janë duke e përdorur xhihadizimin e kosovarëve në Siri si justifikim për të përfunduar puçin që amerikanët dhe Surroi kërkojnë të bëjnë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Askush nuk guxon të flasë në mediat kosovare kundër Amerikës dhe askush nuk guxon të thotë që xhihadizimin e kosovarëve nuk e bëri Naim Tërnava, por amerikanët dhe qeveria e Kosovës. Vetëm Forumi i të Rinjve Muslimanë e ka thënë një gjë të këtillë, por deklaratat e tij injorohen dhe censurohen.
12.
Lufta globale që Amerika po bën sot kundër xhihadistëve që ajo vetë çoi në Siri, në Kosovë po shkakton shumë dëme kolaterale. Hoxhallarë sikur tele-evangjelisti i suksesshëm Shefqet Krasniqi po terrorizohen dhe poshtërohen publikisht nga pushteti kosovar i cili është i shqetësuar me ri-islamizimin e vendit dhe ndodhet nën presion nga amerikanët që t’i vërë fre islamit. Aktivistët muslimanë që veprojnë përreth Forumit të të Rinjve Muslimanë po terrorizohen e kërcënohen nga SHIK-u dhe policia e Kosovës për deklaratat që ata bëjnë kundër islamofobëve në mbrojtje të Islamit. Policia dhe mercenarë sikur Visar Duriqi kërkojnë që FRM-së t’ia mbyllin gojën me çdo mënyrë dhe presion. Duriqi i kërcënon me burgosje aktivistët muslimanë që flasin kundër tij dhe për këtë ka mbështetjen e amerikanëve. Në krye të gjithë gjurulldisë kundër Islamit në Kosovë, sot qëndron Xhabir Hamiti me medresantin Visar Duriqi të cilët ashtu sikur Abdullah Abdullahi i Aleancës Veriore në Afganistan vite më parë, kërkojnë që të përdorin makinën shkatërrimtare të Amerikës për interesa personale. Në rastin konkret Xhabiri kërkon të djegë në total Bashkësinë Islame të Kosovës dhe instaloj veten si sulltanin e ri të Islamit kosovar.
13.
Në vitet 2012 – 2013 kur vehabistët kosovarë ishin aleatët më të dashur të Amerikës në luftën kundër Sirisë dhe çonin nizamë për të luftar në Alepo, sllogani kryesor që ata përdornin për të nxitur urrejtje kundër qeverisë siriane ishte se sirianët janë “shiitë të flliqt”.
Por tani që Amerika ka vendosur ta lërë në pushtet Assadin dhe t’i persekutojë vehabistët që deri në 2013 ishin aleatët e saj, besimtarët kosovarë kanë arritur të kuptojnë që ata jetojnë në një botë shumë të flliqtë. Ata po shohin me sytë e tyre “lojën e flliqtë” që gazeta Express e katolikut Berat Buzhala, dhe islamikët sikur Xhabir Hamiti dhe Visar Duriqi po luajnë kundër Islamit dhe sesi feja e tyre po akuzohet toptan sikur është fe terroriste. Ata po shohin me sytë e tyre “lojën e flliqtë” që qeveria kosovare, presidentja Atifete Jahjaga, ministri Enver Hoxhaj dhe Hashim Thaçi po bëjnë me fenë dhe besimtarët në Kosovë. Edhe pse qeveria kosovare ishte vetë fajtore në strehimin dhe armatosjen e xhihadistëve sirianë, tani po kjo qeveri po i arreston dhe burgos besimtarët e thjeshtë që u gënjyen nga kjo qeveri dhe hoxhallarët që ajo ka, dhe u çuan në Siri si mish për top nga amerikanët dhe aleatët e tyre sauditë. Besimtarët po bëhen kurban për politikat globale të Amerikës, ndërsa feja e tyre po flliqet në emër të anti-terrorizmit.
14.
Populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë: koka bën, koka pëson! Besimtarët dhe hoxhallarët e Kosovës të cilët në vitin 2013 luteshin, çirreshin e mallkonin “shiitët e flliqt” të Sirisë, tani që qeveria e tyre po i akuzon për terroristë dhe po i arreston në masë besoj se kanë arritur ta kuptojnë se pushtetarët e Kosovës dhe amerikanët që qëndrojnë pas tyre janë më “të flliqt sesa shiitët”. Shumë hoxhallarë e besimtarë, në këto momente do të donin që të mos ishin përzierë në luftë me “shiitët e flliqt” të Sirisë dhe të mos persekutoheshin si terroristë në të gjithë Kosovën. Por ja që tani është tepër vonë. Atyre tanimë u duhet që të përballen me flliqësirën që Amerika ka instaluar në Kosovë. Flliqësirën demokratike që drejton Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.