Masakrën e Rezallës e bëri ushtria serbe


E hënë, 6 Janar 2014

Pohimet këmbëngulëse të banorëve të Rezallës, civilët shqiptarë të këtij fshati, për edhe të fshatrave të tjera, të cilët strehë kishin gjetur në Rezallë, janë pushkatuar nga pjesëtarët e rregull të ushtrisë së Serbisë, më 4 prill të vitit 1999, kanë dalë të jenë të sakta.

Sipas një dokumenti, të cilin e ka siguruar gazeta, Prokuroria Publike e Mitrovicës, i ka adresuar një shkresë Prokurorisë Ushtarake serbe në Prishtinë, më 18 prill të vitit 1999, 14 ditë pas pushkatimit të 42 civilëve, me anë të së cilës është kërkuar hetim dhe sqarim për ekzekutimin, siç thuhet në shkresë, të 35 njerëzve në Rezallë.

“Ua dërgojmë në kompetencë shënimin zyrtar të gjykatësit hetues të Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës Krn.nr.60/99, të datës 18.04.1999. Nga ky shënim zyrtar del se ai ka të bëjë me konfliktin në Rezallë, komuna Sërbicë, me ç’rast nga pjesëtarët e ushtrisë së Jugosllavisë janë privuar nga jeta 35 persona.

Meqenëse se ka të bëjë me veprimin e pjesëtarëve të ushtrisë së Jugosllavisë, ju jeni të obliguar që të veproni për këtë rast, respektivisht që t’i vlerësoni të gjitha rrethanat nën të cilat ka ardhur deri te privimi nga jeta i njerëzve”, thuhet në shkresën e Prokurorisë Publike serbe të Mitrovicës, të cilën e ka nënshkruar zëvendësprokurori, Nenad Trifunoviq, dërguar Prokurorisë Ushtarake serbe në Prishtinë. Shkresa mban numrin Ktr. 21/99 dhe mban datën 26.04.1999, si dhe shenjat HT/CM.

Ndërkaq, vetë rezallasit, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin se në Rezallë janë ekzekutuar 84 civilë, kanë theksuar vazhdimisht se krimin në Rezallë e kanë kryer ushtarët serbë të Garnizonit të 3-të të Çaçakut, i cili udhëhiqej nga komandanti M. Jokiq.

Bajram Rukolli, nga ky fshat, thotë se Serbia e di shumë mirë se kush e ka kryer krimin dhe ku ndodhen mbetjet mortore të shqiptarëve të pushkatuar, pasi që ata, vetëm dy javë pasi që kishin kryer krimin, kishin zhvarrosur kufomat nga një gropë në vendin ku ishin pushkatuar dhe i kishin dërguar në drejtim të panjohur.

Madje, ata kishin pushkatuar edhe një fëmijë 12 vjeç, i cili nuk po i ndahej babait të tij. “Kemi të dhëna të sakta se Serbia e di përgjigjen në pyetjen tonë, ku janë”, ka thënë Rukolli./zeri

Etiketa: , ,