Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

MB: Policia do të godasë pa paralajmërim

Prizren Post | 18:07 - 18.06.2014

LAZARAT – Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje banorëve të Lazaratit që të mos kundërshtojnë forcat e policisë. Banorëve u kërkohet të mos dalin nga banesat e tyre deri në përfundim të aksionit policisë dhe u kërkohet që të distancohen nga kriminelët.

“Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen e saj drejtuar banorëve të Lazaratit, që të distancohen hapur dhe prerë nga elementët kriminalë që synojnë të mbajnë peng gjithë fshatin dhe të ardhmen e tij. Po ashtu në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre u kërkohet të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, që të mos dalin nga banesat deri në përfundim të operacionit policor”, thuhet në njoftim.

Ndërsa u kërkohet të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë dhe banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor, MB thekson: “Policia e Shtetit është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim dhe pa paralajmërim këdo që do tentojë të dalë mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës, duke ju kundërvënë me armë uniformave blu”.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme nga strukturat e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në territorin e 7 banesave në fshatin Lazarat ku: janë gjetur dhe asgjësuar rreth 1.5 ton hashash dhe rreth 2000 bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin, janë sekuestruar 3 armë zjarri automatikë, është sekuestruar 1 armë gjahu çifte si dhe një sasi e konsiderueshme municioni./shekulli/


Arivisti Company