Mbahet Samiti Itali-Francë-Gjermani


E martë, 23 Gusht 2016

fr it de

Ventotene – Liderët e Italisë, Gjermanisë dhe Francës janë takuar për të diskutuar në lidhje me vendimin e Britanisë për largim nga BE-ja (Brexit), sigurinë dhe krizën e migrantëve, si dhe zhvillimin ekonomik, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, François Hollande, nga Aeroporti i Cadpodichinos në Napoli me helikopterë kanë kaluar në ishujt Santo Stefano dhe Ventotene.

Ata vizituan varrin dhe burgun ku është mbajtur politikani italian Altiero Spinelli, i cili i pari prej atij vendi e hodhi idenë për bashkimin e Evropës, liderët të cilët vendosën kurorë lulesh prej aty kaluan në anijen aeroplanmbajtëse Garibaldi të flotës italiane dhe organizuan konferencë të përbashkët për media.

– Ishulli Ventotene

Ishulli Ventotene, vendi i organizimit të samitit, është vendi ku gjatë Luftës së Dytë Botërore janë mbajtur të burgosur politikanët italianë Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi dhe këta e shkruan “Manifestin e Ventotenes” që në të vërtetë quhet “Për një Evropë të Lirë dhe të Bashkuar”. Manifesti pranohet si njëri nga elementet që përbëjnë themelet e BE-së së sotme.

Renzi, duke theksuar se janë takuar në ishujt Ventotene dhe Santo Stefano të cilët “simbolizojnë madhështinë e Evropës”, tha se “Pas Brexitit çdokush mendonte se ‘BE-ja mbaroi’, mirëpo kjo nuk është e vërtetë. E respektojmë vendimin e votuesve britanikë dhe me këtë duam të hapim një faqe të re.”

Ai foli edhe në lidhje me çështjen e migrantëve me të cilët kryesisht po përballet shteti i tij dhe Evropa në përgjithësi. “Për ne është përgjegjësi t’i shpëtojmë ata që rrezikojnë jetën për Evropën. Ky është problem civilizimi, e këto janë vlerat tona”, u shpreh ai.