Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

(Mbi)Jetesa në Kosovë


Prizren Post | 23:49 - 02.02.2015

Flamur KUÇI

Shteti im paradoksal, ku ndodhin ngjarje nga më të pazakonshmet. Ofshama pakënaqësie dëgjohen ngado që shkoj, lypësa që qajnë me zor, të papunë që luten për të mos gjetur punë, sharje nga më të ndyrat, jo vetëm në bisedat e njerëzve të zakonshëm por edhe të atyre të ngritur intelektualisht (nëse mund të quhen të tillë).

Kjo më së miri tregon situatën reale me të cilën përballemi çdo ditë dhe nivelin edukativ që e kemi si shoqëri.
 KRIZË, është refreni që populli i vendit tim e thotë si në vaj, pjesë e pandarë e jetëve tona, sinonim i fjalës mjerim. Krizë, përkufizim i plotë për gjendjen sociale, politike, ekonomike, krizë identitare e emocionale, thjeshtë krizë.

Vetëm jetesë nuk mund të quhet, të vuajturit e të duruarit, e të qenit banor i një vendi që gjeografikisht shtrihet në Europë, kurse pjesë e sajë faktike bëhet vetëm përmes ndonjë kampanje të rrjeteve sociale, siç ishte rasti i sfidës së kovës me akull, kur erdhi në pah kriza identitare që e kemi, të ndierit inferiorë ndaj botës perëndimore, kur sfidonin njëri-tjetrin shqiptarët, që të lahen me ujë të ftohtë, pa çka se më shumë lahemi me ujë të ftohtë apo edhe më keq, nuk kemi fare ujë për t’u larë.

Kompleksimi shkon aq larg saqë bëhet kronik, në sfidën e të lexuarit të librave, rastësia qëndronte se ishin vetëm njëzet e ca tituj librash që kishim lexuar, gjegjësisht dëgjuar, publikimi i fotove “eating pizza” e jo “eating pasul”, e shumë të tjera.

 Paradoks i vërtetë është fjala e lirë, koncepti që me fanatizëm e mbrojnë pikërisht ata që e cënojnë atë, ku liri e shprehjes është çkado që të thonë, e tu kundërvihesh është nxitje e urrejtjes, ku gazetarët publikisht “këshillohen” nga kryeministri të jenë më të qetë, ku shpifjet nga disa gazetarë merren si argument në gjykatë, e dëshmitarët likuidohen edhe jashtë kufijve të shtetit. 

Kosova, aty ku ftohesh t’i zgjidhësh problemet përmes rrugëve institucionale, por që ato janë të kapura pikërisht prej atyre që të ftojnë ta bësh këtë, vendi i vetëm në botë ku protesta e prish imazhin para investitorëve të huaj, e korrupsioni është kyç për kontratat miliardëshe, vendi ku një serb me 12 kg eksploziv kalohet me dy ditë biseda kafenesh, ku mpirja e shpërlarja e trurit bëhet madje edhe në televizionin publik, ku kronikë speciale është çdo fjalim publik i minstrit të jashtëm.

Çështja është se a jeton apo mbijeton, qytetari në Kosovë? Mendoj fuqishëm, se në vendin më të varfër në Europë, mbijetohet dhe atë për këto arsye:
Qytetari në Kosovë duhet që të zgjohet në mëngjes dhe shpreson që të ketë ujë, nëse ka qenë me fat të jetë pastruar, tani i duhet edhe më shumë fat ta ketë veturën të parkuar para banesës, aty ku e kishte lënë mbrëmë me shpresën për të mos ia vjedhur, nëse e kalon edhe këtë, duhet të lutet që “shefi” të jetë në humor të mirë dhe të mos e fyejë për pikë të qejfit, të shpresojë se fëmijët që i ka në shkollë kur të dalin në rrugë të mos ia sulmojnë qentë endacakë, që kur të ecë nën ndonjë pemë, numri i madh i sorrave që janë në to, të mos e glacojnë.

Si për ta ngulfatur keq e më keq qytetarin e Kosovës e t’ia vështirësojë mbijetesën u përkujdesën “të zgjedhurit” e popullit, kur ia dhanë distribucionin KEDS-it, e që po bën më të mirën për të na nxirë jetën me faturat e kripura gjatë dimrit, ku çmimi i energjisë është më i larti në rajon e më gjerë, e ku papunësia është aq e lartë saqë gati ka kapur shkallën e të punësuarve të vendeve Europiane, edhe ky po që është paradoks.

A po ju humb durimi qytetarëve të Kosovës? A po detyrohen po këta qytetarë që lanë çdo gjë vetëm e vetëm që ta kenë një shtet të vetin, ta braktisin atë ende pa mbushur një dekadë mvetësie? Për fat të keq përgjigjja është PO. Autobusë të mbushur plotë, nisen orë e çast nga Kosova me njerëz të mllefosur, për të cilët më pak ka rëndësi ta dijnë se ku po shkojnë se sa nga ku po ikin. Me të vërtetë e dhimbshme të shohësh se askush nuk bën as më të voglën përpjekje. që të ndalojë së larguari një mjek, që po ikë pasi dikush ia zuri vendin se kishte “t’njofshëm”, një inxhinier të sapodiplomuar me shpresë të vrarë, një student që sakrifikoi shumë për të kontribuar dikur për vendin e tij, duroi teket e profesorëve komunistë, i duroi mësimit në temperatura nën zero në bibliotekën e fakultetit, i duroi dhimbjeve të trupit në shtretërit e vjetruar të konvikteve, ushqimit të menzës, tërë pluhur, e po ashtu nuk bën asgjë për të ndalur një grua shtatëzënë e që me gjasë do të lindë në njërin nga kampet e refugjatëve në Hungari apo nën ndonjë urë të fëlliqur të Francës. Më e dhimbshme akoma kur dëgjon kryefamiljarë të thonë: “Ma mirë qetu nër urë n’France bile bukë po kam me ju dhanë fmijve, e po kanë tesha me veshë, se n’Kosovë as qeto si kam”. 

Të kthehemi edhe një herë te protesta, konkretisht te deklarata e kryeministrit se tërë këto po bëhen vetëm për ta marrë pushtetin, kurse po i njejti përmes policisë, që janë të detyruar të zbatojnë urdhërin, po rrah, arreston e burgos protestues, veteranë të UÇK-së e madje edhe kryetarë komunash, vetëm e vetëm për ta mbajtur pushtetin. 
Jabllanoviç është emër i përveçshëm, që nuk e përfaqëson vetëm veten e tij, por e përfaqëson Serbinë në Kosovë. Mjerë ne kush na ka kushtëzuar formimin e institucioneve, dhe mjerë ne që kemi në krye dikë që assesi nuk mund të lirohet nga kushtëzimet, meqë nga hyrja në këtë lojë kanë hyrë me këtë “behane”.

Nuk kam ndonjë ide se si duhet të dalim nga kjo situatë, vetëm e di se kjo që po e bëjmë, është larg nga ajo e duhura.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company