Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mediat serbe: Koço Danaj parashikon luftë ballkanike

Prizren Post | 17:06 - 22.07.2013

BEOGRAD – Mediat serbe “Kurir”, “In Serbia” kanë publikuar deklaratat e Koço Danajt, botuar të dielën në mediat austriake mbi ‘Shqipërinë Natyrale”, firmat që do të mblidhen për të dhe më pas një peticion ndërkombëtar. “Politikani shqiptar Koço Danaj tha se Mali i Zi duhet të tërhiqet nga pjesët lindore të territorit të tij, i cili është i banuar kryesisht nga popullsia shqiptare dhe në këtë mënyrë ky territor do t’i përkasë “Shqipërisë Natyrale”. Kështu raportoi e përditshmja serbe “Kurir”. “Në qoftë se nuk krijohet ‘Shqipëria Natyrale’, atëherë në Ballkan do të ketë luftë të re”, – ka thënë Danaj.

Më tej në mediat serbe citohet Danaj, në një intervistë për agjencinë DPA, ku ka deklaruar se të gjithë shqiptarët duhet të jetojnë në një shtet të vetëm. “Sot ne kërkojmë bashkimin e të gjithë shqiptarëve, pa luftë”, është shprehur Danaj. Kur u pyet se çfarë lloj efekti do të shkaktojë formimi i “Shqipërisë së Madhe”, ai tha se ata (shqiptarët) në fakt pëlqejnë ta quajnë atë “Shqipëri Natyrale”, sepse termi “Shqipëria e Madhe” vjen nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Efekti është garanci se nuk do të ketë më dhunë në Ballkan. Përndryshe, mund të pritet një luftë e re ballkanike. Në qoftë se ne do të kemi Shqipërinë në kufijtë e saj natyrore, kjo luftë nuk do të ndodhë”, – ka deklaruar Danaj, sipas mediave serbe. BW


Etiketa:
Arivisti Company