Meimarakis takon Metën: Shqipëria të marrë statusin kandidat


E diel, 27 Prill 2014

Tirane, 27 prill – Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta ka ardhur sot për një vizitë në Tiranë, Kryetari i Parlamentit të Greqisë Evangelos Vasileios Meimarakis. Në një konferencë të përbashkët shtypi me homologin e tij shqiptar, Meimarakis tha se Shqipëria duhet të marrë statusin kandidat.

“I gjithë ky rajon i trazuar i Ballkanit duhet të integrohet qoftë në BE, si dhe në NATO. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet e fqinjësisë së mirë, kuptohet, që integrimi do të ndihmojë sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Ne me këtë vizitë japim mesazhin se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, se dy vendet tona kanë mundësinë të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e zhvillimit dhe ka shumë rëndësi që këtë mesazh ta japim ne kryetarët e Parlamenteve. Ne dëshirojmë që ashtu siç e ndihmuam Shqipërinë të futej në NATO, ne duam që Shqipëria të futet edhe në Bashkimin Evropian brenda Presidencës sonë”, tha kryetari i parlamentit grek.

“Ne vlerësojmë përkushtimin e Greqisë për të përshpejtuar integrimit evropian të të gjithë rajonit tonë, përfshirë edhe Kosovën. Shqipëria dhe Greqia, si dy vende anëtare të NATO-s kanë një përgjegjësi të madhe për garantimin e qetësisë në rajon. Po ashtu dy vendet tona në kuadrin e dy nismave rajonale japin një kontribut të vyer në garantimin e sigurisë ekonomike, si psh. në projektin TAP. Shqipërinë dhe Greqinë nuk i bashkon vetëm hapësira e përbashkët gjeografike, por mbi të gjitha ura e shkëlqyer e bashkëpunimit që mishërohet nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ndaj ruajtja dhe kultivimi i vlerave kulturore reciproke ka rëndësi të veçantë për të dy vendet tona”, theksoi kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë Meimarakis do të takohet me krerët më të lart të vendit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeministrin, Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha./shekulli/

Etiketa: , ,