Meta: Është vetëm fillimi i rritjes sonë


E shtunë, 13 Korrik 2013

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Çorovodës tha se në zgjedhjet e 23 qershorit sa ka nisur rritja e LSI-së. Ne do të vazhdojmë të rritemi akoma më tej, vijoi Meta, pasi gjithçka kjo parti e bazon tek puna e përditshme , e vazhdueshme dhe është gjithnjë në përmirësim të vetes.

“Motoja jonë për të ardhmen është të punojmë çdo ditë dhe të përmirësohemi çdo ditë në mënyrë që të jemi më të aftë dhe më të suksesshëm në përballimin e gjithë sfidave që kemi përpara. Ne kemi bërë fushatën më pozitive, kemi bërë fushatën më konkrete, kemi pasur premtimet më të përmbajtura dhe më racionale e kemi përqendruar qartë mesazhin e fushatës sonë tek të gjithë votuesit që kërkojnë stabilitetin e vendit, që kërkojnë zgjidhjen e problemeve më të mprehta ekonomike e sociale, që kërkojnë rritjen e punësimit dhe njëkohësisht për ne është tepër e rëndësishme tani të fillojmë punën për mbajtjen e këtyre premtimeve”, tha kryetari i LSI-së.
Meta u zotua për mbajtjen e premtimeve të bëra për punësimin, por edhe për ta gjallëruar jetën e komunitetit në Çorovod.

Sipas Metës, janë qytetarët ata që duan fuqizimin e LSI-së, pasi kontribuuan me votën e tyre për këtë qëllim. Duke u fuqizuar, LSI-ja si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe.

“Rritja e LSI-së është mesazhi më i qartë se shqiptarët duan të ecin më shpejt në rrugën e stabilitetit, në rrugën e ndryshimeve, në rrugën e integrimit, në rrugën e punësimit, në rrugën e përqendrimit të gjithë energjive të politikës tek ekonomia, tek punësimi tek çështjet më jetike që kanë qytetarët tanë në Berat, në Skrapar dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha z. Meta.

Etiketa: , ,