E martë, 8 Tetor 2013
Prishtinë 8 tetor – Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani priti sot ekipin e ekspertëve të fushave mjekësore nga SHBA, Meksika, Republika Çeke, Lituania, etj. të shoqëruar nga Dr. Bujar Gjikolli, president i KOMC, pjesëmarrës të Simpoziumit të Dytë Satelitor: Imazheria e avancuar diagnostike dhe terapeutike, që u mbajt dje dhe sot në Prishtinë.
Në këtë takim, ministri Agani përgëzoi ekipin e ekspertëve për mbajtjen e simpoziumit, që ishte një mundësi shumë e mirë për këmbimin e përvojave profesionale midis profesionistëve të huaj me profesionistët shëndetësor nga Kosova.
Ministri Agani i njoftoi ata edhe me procesin e reformave në shëndetësi, mbështetjen për këtë proces nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OBSH, UNICEF, LUX/DEV dhe partnerët e tjerë.
“Nuk ka reformë pa ngritjen e aftësive profesionale të profesionistëve dhe në këtë kontekst e vlerësoj edhe simpoziumin që u mbajt”, tha ministri Agani, duke siguruar se programet e këtilla të bashkëpunimit do të vazhdojnë dhe mbështeten nga MSH-ja edhe në të ardhmen.