Misioni vlerësues për viza, javën e ardhshme në Kosovë


E enjte, 10 Mars 2016

Bruksel – Javën e ardhshme përkatësisht më 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndroj një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së.

Ekspertët nga shtetet anëtare të BE-së do të qëndrojnë në Kosovë për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian.

“Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos i cili pritet të realizojë vizitën e paralajmëruar në Kosovë për tu njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministria për Integrim Evropian ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse, kanë bërë pëgatitjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezantuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces”, ka thënë ai.

Më 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejtë 95 kritere të udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, gjersa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.

Raporti i dhjetorit 2015 që Komisioni Evropian e ka quajtur të fundit në këtë proces, përcakton katër prioritetet kyçe për periudhën e mbetur të dialogut për liberalizimin e vizave që përfshinë: 1). Transferimin enjë numër të mjaftueshëm të gjykatësve në departamentet e krimeve të rënda të gjykatave themelore; 2). Ndërtimin e një historiku të hetimeve, vendimeve të gjykatës dhe konfiskimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; 3). Sigurimin për pavarësisë operacionale të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik; dhe 4) Demonstrim se legjislacioni për procedurat e ndryshimit të emrit është zbatuar. Poashtu, Komisioni Evropian kishte përcaktuar katër kritere të cilat do të monitorohen, përgjatë kësaj periudhe, përkatësisht: Progresin në ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në shpenzimin e fondit për riintegrim; adresimin e arsyeve për shkallën e ulët të njohjes për azil-kërkuesit; dhe në sigurimin e objektit dhe pavarësisë financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit./KP/

Etiketa: , ,
Të fundit