Mjegulla vështirëson aterimet në Aeroportin e Prishtinës


E martë, 14 Janar 2014

Prishtinë, 14 janar – Mjegulla e dendur, që ka mbuluar pjesën më të madhe të vendit, ka pamundësuar edhe sot fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës. Valentina Gara, zëdhënësja e ANP-së, ka konfirmuar për Koha.net se nga 16 fluturimet e parapara për sot, deri në këto momente asnjë prej tyre nuk është realizuar shkaku i mjegullës së dendur.

“Sipas të dhënave të Departamentit meteorologjik të kontrollit të trafikut ajror, përmirësimi i dukshmërisë pritet nga ora 9 deri në orën 11 dhe me largimin e mjegullës të gjitha fluturimet priten të realizohen”, ka thënë ajo.

Mjegulla ka mbyllur edhe aeroportet e Maqedonisë, njoftojnë mediat e atjeshme. Sipas tyre, për këtë shkak po zhvillohet me vështirësi edhe komunikacioni rrugor. Vetëm ai hekurudhor po zhvillohet normalisht. Raportohet se avionët që duhej të fluturonin në Shkup janë orientuar drejt aeroporteve të vendeve fqinje – Sofje e Beograd.