Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Moore: Shqetësime për polarizimin e situatës në Shqipëri

Prizren Post | 09:50 - 03.05.2014

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri nuk duhet zhvilluar përmes akuzave politike dhe shtypit, por përmes sistemit të drejtësisë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore, ndalet edhe tek përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës, si dhe mes qeverisë dhe presidentit.

Cili është mendimi juaj, për mënyrën si ka qeverisur ajo deri tani?

Siç ka ndodhur edhe në shumë vende, ka pasur pikëpyetje për disa prej vendimeve të fazave të para të qeverisjes, në se ato janë marrë për arsye partiake, apo në kuadër të një strategjie më afatgjatë. Por deri tani qeveria ka punuar shumë intensivisht për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit evropian.

Zyra e presidentit e ka akuzuar qeverinë se ajo po përpiqet ta zhveshë atë nga kompetencat. Si e shikoni ju këtë çështje?

Pikëpamja jonë është që ne duam të shohim që institucionet të funksionojnë normalisht, që populli t’u besojë atyre dhe punës që ato bëjnë. Për disa prej çështjeve që presidenti ka ngritur ai po përdor mekanizmat e duhur ligjorë, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, siç ishte rasti i shkarkimit të zonjës Xhuka, kryetares së Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive. Ky është një hap shumë praktik. Presidenti përfaqëson gjithë vendin, kryeministri ka përgjegjësi për të gjithë vendin, kjo duhet të jetë temë debati publik dhe në se ka mosmarrëveshje ato duhen zgjidhur në mënyrë ligjore dhe jo politike.

Qeveria premtoi luftë të fortë ndaj korrupsionit. A ka qenë ajo e suksesshme deri tani?

Nëse ka fakte ndaj zyrtarëve në qeveri apo në nivel lokal, ose ndaj gjykatësve, ato duhet të hetohen dhe t’i kalojnë rrugëve ligjore, prokurorisë dhe të mos bëhen përmes të ashtuquajturit “gjyq publik”, përmes shtypit, apo përmes politikanëve që akuzojnë paraardhësit e tyre. Këto raste duhet të zgjidhen përmes sistemit të drejtësisë. Është e vërtetë që ka korrupsion në Shqipëri, edhe mes disa gjykatësve, por po ashtu ka edhe gjyqtarë shumë të mirë, të aftë, me të cilët ne bashkëpunojmë gjithmonë, që i trajnojmë, tani sapo kishim këtu për shembull kryetarin e Gjykatës së Tiranës, zotin Islamaj. Ka shumë tjerë në sistemin e drejtësisë dhe në prokurori tek të cilët ne kemi besim në Shqipëri.

Zoti Moore ju faleminderit.

Ishte kënaqësi që isha sot këtu. Në se më lejohet të shtoj diçka në fund. Këto ditë ne sapo patëm për një vizitë të suksesshme ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe pas dy javësh do të kemi për vizitë kryetarin e parlamentit, zotin Meta, më pas do të kemi disa deputetë. Para pak kohe, në muajin shkurt, kishim presidentin Nishani. Ndonëse është e rëndësishme për mua dhe kolegët e mi të shkojmë në Shqipëri, natyra e marrëdhënieve dypalëshe është në një nivel shumë pozitiv, siç shihet nga niveli i shkëmbimeve dhe këtyre vizitave./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company